Kina e përkrah shqyrtimin gjithëpërfshirës të reagimit global ndaj pandemisë COVID-19 të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pasi të futet nën kontroll virusi i cili po shkakton këtë sëmundje, ka thënë presidenti Xi Jinping të hënën.
Komentet e presidentit Xi, të bëra gjatë një video-fjalimi drejtuar Asamblesë Botërore të Shëndetësisë të hënën, vijnë si rezultat i një rezolute të iniciuar nga Bashkimi Evropian dhe Australia, të cilët kanë bërë thirrje të rishikimit të origjinës dhe përhapjes së koronavirusit, rezolutë e cila po merr përkrahje ndërkombëtare.
Kina më parë kishte refuzuar thirrjet për hetime të tilla nga Washingtoni dhe Canberra, por Xi tha se Pekini do të pranojë një hetim të paanshëm.
“Kina përkrah një vlerësim gjithëpërfshirës të përgjigjes globale ndaj epidemisë pasi që pandemia globale të jetë nën kontroll, për të rrumbullakuar përvojat dhe për të përmirësuar lëshimet”, i tha Xi asamblesë. “Kjo punë ka nevojë për një qëndrim shkencor dhe profesional dhe duhet të udhëhiqet nga OBSH-ja, duke i respektuar parimet e objektivitetit dhe drejtësisë”.
Ai gjithashtu premtoi 2 milionë dollarë përkrahje financiare në dy vitet e ardhshme si ndihmë ndaj luftimit të pandemisë COVID-19, posaçërisht për t’i ndihmuar shtetet në zhvillim.
Gjatë takimit dy-ditor, ministrat e Shëndetësisë nga e tërë bota pritet të mbështesin thirrjet për një hetim të pavarur ndaj punës së OBSH-së, që është kritikuar shumë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Takimi mund të dominohet nga tensionet ë mes Kinës dhe SHBA-së, që kritikoi ashpër Pekinin për reagimin e dobët në fazat e para të pandemisë.
Duke e quajtur pandeminë “emergjencën më serioze globale që nga Lufta e Dyte Botërore”, Xi tha: “Tërë kohën kemi vepruar me transparencë dhe përgjegjësi”.
Asambleja Botërore e Shëndetësisë pritet të diskutojë një rezolutë të prezantuar nga Bashkimi Evropian e cila bën thirrje për vlerësimin e pavarur të punës së OBSH-së nën udhëheqjen e drejtorit të saj gjeneral Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sekretari Gjeneral i OKB-së Antonio Guterres e quajti OBSH-në “të pazëvendësueshme” dhe tha se kishte nevojë për burime më të mëdha për të përkrahur shtetet në zhvillim.
OBSH-ja dhe shumica e ekspertëve thonë se virusi besohet të ketë ardhur nga një treg i kafshëve të egra në qytetin Wuhan. Por Sekretari i Shtetit i SHBA-së tha këtë muaj se “kishte mjaft dëshmi” se virusi ka ardhur nga një laborator në këtë qytet, akuzë të cilën Kina nuk e pranon.