Për herë të parë që nga rimëkëmbja e transportit ajror europian pas pandemisë Covid-19, trafiku i pasagjerëve ka rënë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i udhëtarëve në rrjetin e aeroporteve europiane ra me 0.7% në prill 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas organizatës europiane të aeroporteve ACI EUROPE.
Grupi thotë se, edhe pse rënia është e vogël, ajo “shënon një moment të rëndësishëm”.
Ecuria e muajit prill pasqyron një kombinim faktorësh, përfshirë konfliktin në Lindjen e Mesme, i cili ndikoi kryesisht tregun jo-BE+, zhvendosjen e pjesshme të pushimeve të Pashkëve në muajin mars këtë vit, si dhe grevat që goditën rëndë tregun gjerman.
Tregu BE+ vazhdon të rritet, ndërsa dallimet rajonale dhe kombëtare po thellohen
Ndërsa trafiku i pasagjerëve në tregun jo-BE+ ra me 7.6%, tregu BE+ vazhdoi të zgjerohej, duke shënuar rritje prej 0.6%. Vetëm aeroportet e BE-së u rritën me 1.4%.
Brenda tregut jo-BE+, aeroportet në Izrael (-73.4%) pësuan humbje të mëdha, ndërsa aeroportet në tregun kryesor të Turqisë shënuan gjithashtu rënie të trafikut të pasagjerëve (-5.1%). Rënie pati edhe në Gjeorgji (-16.3%) dhe Azerbajxhan (-12.9%), si pasojë e ekspozimit të tyre ndaj zhvillimeve në rajonin e Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, disa tregje më të vogla në perëndim të zonës jo-BE+ vazhduan të regjistronin rritje mbresëlënëse: Maqedonia e Veriut (+30.6%), Shqipëria (+25.3%) dhe Moldavia (+24.6%).
Ndër tregjet më të mëdha të BE+, aeroportet në Spanjë (+3.7%) dhe Itali (+2.2%) patën rezultatet më të mira, ndërsa ato në Gjermani (-8.5%), Mbretërinë e Bashkuar (-2.1%) dhe Francë (-0.9%) shënuan rënie të numrit të pasagjerëve.
Performancat më të mira në BE+ u regjistruan nga aeroportet në Sllovaki (+125.2%), Slloveni (+14.6%), Estoni (+12.1%), Maltë (+13.5%) dhe Poloni (+8.3%).
Në anën tjetër, aeroportet në Qipro (-16.1%) dhe Islandë (-11.7%) patën rëniet më të mëdha, të ndjekura nga Austria (-7.4%) dhe Zvicra (-6.1%).
“Prilli shënon një pikë të qartë kthese për trafikun ajror europian. Ndërsa tashmë po shihnim një normalizim të rritjes së trafikut të pasagjerëve pas rimëkëmbjes së fortë pas pandemisë, paqëndrueshmëria gjeopolitike, sidomos lufta në Lindjen e Mesme po rëndon më tej mbi rritjen dhe po nxjerr në pah dallime të mëdha në performancë midis tregjeve”, komentoi shifrat Olivier Jankovec, Drejtor i Përgjithshëm i ACI EUROPE.
Aeroportet më të mëdha dhe më të vogla të Evropës u ndikuan më shumë
Në përgjithësi, aeroportet “major” (-3.5%), së bashku me aeroportet “mega” (-1%) dhe “large” (+0.1%), ishin segmentet më të prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme, pasi ato përqendrojnë pjesën më të madhe të lidhjeve ajrore të Evropës me këtë rajon.
Ndër aeroportet kryesore, vetëm Barcelona (+4.1%), Madridi (+3.3%) dhe Amsterdam-Schiphol (+2.7%) panë rritje të trafikut të pasagjerëve në prill.
Mynihu (-16.4%) dhe Frankfurti (-11%) shënuan rëniet më të forta, kryesisht për shkak të jo më pak se shtatë ditëve grevë gjatë muajit.
Aeroporti i Stambollit (-6.8%) dhe Istanbul Sabiha Gökçen (-3.4%) — që zakonisht janë ndër performuesit më të mirë — shënuan rënie në prill. Rënie të trafikut pati edhe në London Gatwick (-8.8%) dhe London Heathrow (-5.34%). Ndërkohë, Rome-Fiumicino (-0.6%) dhe Paris-CDG (0.0%) mbetën pothuajse në të njëjtat nivele.
Në të kundërt, aeroportet mesatare (+2.1%) dhe të vogla (+5.5%), rrjetet e të cilave janë kryesisht brenda Evropës, mbetën në masë të madhe të paprekura. Kjo erdhi falë faktit që kompanitë ajrore me kosto të ulët nuk ulën kapacitetet, si edhe për shkak të zhvendosjes së një pjese të kërkesës nga udhëtimet me distanca të gjata drejt atyre me distanca të mesme dhe të shkurtra.
Megjithatë, krahasuar me nivelet para pandemisë të vitit 2019, aeroportet e vogla vazhduan të kishin performancën më të dobët, me -27.7%. Kjo pasqyron ndryshime strukturore në kushtet e tregut dhe sfida të mëdha për qëndrueshmërinë e tyre financiare.
Mallrat dhe lëvizjet e avionëve
Trafiku i mallrave në aeroportet evropiane ra me 5.3% gjatë muajit prill, ndërsa numri i lëvizjeve të avionëve shënoi një rënie të lehtë prej 0.8%.
Të dhënat sipas grupeve të aeroporteve
Në prill, aeroportet që presin më shumë se 40 milionë pasagjerë në vit (Majors), ato me 25–40 milionë pasagjerë (Mega), me 10–25 milionë pasagjerë (Large), me 1–10 milionë pasagjerë (Medium) dhe me më pak se 1 milion pasagjerë (Small) raportuan ndryshime mesatare përkatësisht prej -3.5%, -1%, +0.1%, +2.1% dhe +5.5%, krahasuar me një vit më parë.
Aeroportet që raportuan rritjen më dinamike të trafikut të pasagjerëve krahasuar me prillin 2025 janë si më poshtë:
Majors: Barcelona BCN (+4.1%), Madrid MAD (+3.3%), Amsterdam AMS (+2.7%), Paris CDG (0%), Rome FCO (-0.6%).
Mega airports: Málaga AGP (+9.5%), Zurich ZRH (+6.1%), Copenhagen CPH (+5.8%), London STN (+3.1%), Palma de Mallorca PMI (+2.6%).
Large airports: Tirana TIA (+25.3%), Charleroi CRL (+16.2%), Malta MLA (+13.5%), Milan LIN (+13.3%), Kraków KRK (+13%).
Medium airports: Bratislava BTS (+144.7%), Skopje SKP (+31.1%), A Coruña LCG (+25.4%), Chișinău RMO (+24.6%), Timișoara TSR (+21.5%).
Small airports: Stockholm BMA (+699.8%), Bucharest BBU (+210.6%), Hatay HTY (+165.8%), Córdoba ODB (+135.1%), Friedrichshafen FDH (+89.1%)./ ACI Europe