Valentina Gara, zëdhënëse e aeroportit “Adem Jashari”, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se së shpejti do të nisin fluturimet në Kosovë, derisa ka deklaruar se disa kompani kanë konfirmuar fluturimet nga data 15 qershor.
Gjatë kohës së pandemisë mbi 700 mijë udhëtarë nuk kanë mundur të fluturojnë. Megjithatë, ajo nuk ka një datë të saktë se kur pritet të nisin fluturimet.
“Vendimi paraprak ishte që më 15 qershor të fillonin fluturimet. Ne kemi qenë operativ gjatë pandemisë, por shumica e fluturimeve nuk janë realizuar. Besojmë se shumë shpejtë do të kemi një vendim nga Qeveria për nisjen e fluturimeve. Nuk kemi datë të saktë, mirëpo besojmë se shumë shpejtë do të dalim edhe me një komunikatë. Kemi kompani që kanë konfirmuar fluturimet nga data 15 qershor. Siç janë fluturimet me Austria Airlines, që ka fluturimet për në Vjenë, më pas kemi Wizz Air për Londër, Bedapest, Eurowings dhe kompani të tjera veçse kanë konfirmuar fluturimet pas datës 15 qershor”, ka thënë Gara.
Ajo ka thënë se tashmë Aeroporti “Adem Jashari” ka marrë masat për parandalimin e COVID-19.
“Qytetarët duhet të paraqiten 3 orë para fluturimit, nuk do të lejohen shoqëruesit e udhëtarëve në terminale, si ata që i përcjellin po ashtu edhe ata që i presin. Udhëtarët duhet të paraqiten në hyrje të terminalit me bileta. Përveç distancës dhe bartjes së maskës do të jenë të detyrueshme. Kontrolli do të bëhet që në hyrje të terminalit që udhëtarët do të paraqisnin një dokument se do të udhëtojnë. Poashtu kemi vendosur dezinfektues, dhe do t’u dezinfektohen edhe bagazhet dhe do të bëhen edhe testimet e temperaturës”, ka thënë Gara.
Ajo ka shtuar se kontrollet në hyrje të terminalit bëhen nga ekipet mjekësore të Aeroportit, dhe nëse një qytetarë ka temperaturë të lartë atëherë njoftohen institucionet shëndetësore të Kosovës.
“Të gjitha masat se çfarë do të ndodhë nëse ndonjë udhëtar del me COVID-19 do të parashihen dhe do të merren masa. Në herët e kaluara ka ndodhur kur kemi pasur raste pozitive dhe janë ndërmarrë masat dhe janë udhëzuar të hyjnë në vetizolim”, ka thënë Gara.
Sipas saj në dy destinacionet ka mjaft qytetarë të interesuar.
“E dimë se tani është koha e pushimeve verore dhe numrin më të madh e kemi diasporën, prandaj presim që të kemi më shumë kërkesa në ardhje. Sa i përket shtimit të numrit të fluturimeve ne kemi resurse të mjaftueshme. Punonjësit e Aeroportit do të vazhdojnë të punojnë me orar të plotë, dhe pavarësisht numrin që kemi do të operojmë ashtu siç është paraparë”, ka thënë ajo.
Kurse, sipas saj, sistemimi brenda aeroplanit u përket kompanive. Gara shton se ato kompani janë të informuara për rregullat e Aeroportit.
Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se ulëset në pritje tani janë aranzhuar ku ruhet distanca prej 1.5 metra dhe qytetarët nuk janë përballë njëri-tjetrit.
Gara shton se gjatë pandemisë nuk janë lejuar që të ketë fluturime të udhëtarëve, përveç atyre që janë riatdhesuar.
“Me sjelljen e vendimit që kompanitë ajrore nuk lejohen që të vijnë me udhëtarë në Aeroport, përveç atyre të riatdhesimit. Shumë kompani kanë anuluar fluturimet, jo vetëm në Kosovë porse edhe në shtetet e tjera. Gjatë kësaj kohe kemi pasur ndoshta 1 apo 2 fluturime në javë. Fluturimet në nisje ka pasur mjaft udhëtarë, prandaj nuk është varur e tëra nga kompanitë ajrore por edhe nga kufizimet e shteteve të tjera”, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka thënë se kanë një biznes të qëndrueshëm, por kanë edhe një bashkëpunim të mirë me Qeverinë, derisa pret që normalitetit kompanitë e aviacionit t’i kthehen brenda 2-3 viteve.
“Shumë aeroporte janë duke vazhduar bisedimet në mënyrë që të vijën deri te një përfundim. Ndoshta për 2-3 vite do të kthehemi në normalitet, por flas për industrinë e aviacionit. Do të bashkëpunojmë me Qeverinë dhe të shohim si do të dalim nga kjo situatë. Si Limak jemi biznes i qëndrueshëm dhe i sigurojmë punëtorët se do të vazhdojnë me kushtet e njëjta”, ka thënë Gara.