Werder Bremeni dhe Red Bull Leipzigu janë ende disa milionë euro larg arritjes së një marrëveshjeje për transferimin e Milot Rashicës gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa tani ka filluar lufta e fjalëve edhe publikisht.
Pas rundit të parë të negociatave për transferimin e kosovarit, Leipzigu raportohet të ketë bërë ofertë prej 15 milionë eurove, ndërsa Werder Bremeni thuhet se e ka refuzuar këtë ofertë pasi që po i kërkon 25 milionë euro për Rashicën, shkruan Deichstube, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, tani të dyja klubet po tentojnë ta marrin avantazhin në negociata duke e ulur varësinë nga njëra-tjetra.
Drejtori sportiv i Bremenit, Frank Baumann, tha se shitja e Milot Rashicës këtë verë nuk është diçka që duhet të kryhet patjetër, por se një numër i madh i klubeve janë interesuar për të. Ky është vlerësuar si mesazh për Leipzigun: Nëse ju nuk paguani, do ta shesim Rashicën te ndonjë klub tjetër.
Pas kësaj deklarate të drejtorit të Bremenit, drejtori sportiv i RB Leipzigut, Markus Krosche, u përgjigj, duke thënë se Leipzigu është i interesuar edhe për lojtarë të tjerë, në një intervistë për Sportbuzzer. E kjo deklaratë është interpretuar si mesazh për Bremen: E duam Rashicën, për s’pranojmë çfarëdo çmimi.
Interesimin nga Leipzigu, por edhe nga klube të tjera, Rashica e ka fituar përmes paraqitjeve të tij mbresëlënëse për Werder Bremenin, veçanërisht gjatë pjesës së parë të sezonit, dhe për Kosovën.
Në 33 paraqitjet e këtij sezoni në Bundesligë dhe Kupë të Gjermanisë, Rashica i ka regjistruar 11 gola dhe tetë asiste.