Siç është paralajmëruar, të enjten në Bruksel do të vazhdojnë takimet e grupeve punuese mes Kosovës dhe Serbisë të cilat sipas të gjitha gjasave do të diskutojnë për temën e personave të zhdukur, zhvendosur dhe për problematikat ekonomike mes dy shteteve.
Megjithatë, mediat e afërta me pushtetin në Serbi kanë filluar të raportojnë se Bashkimi Evropian është duke përgatitur një ultimatum për Serbinë, ku gjatë kësaj të enjte do të kërkojnë nga Beogradi zyrtar që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Sipas tekstit, drafti është punuar pa e parë as Kosova e Serbia dhe se për këtë janë keqpërdorur takimet e Brukselit.
Një shkrim të tillë e ka publikuar mediumi serb “Novosti”, i thirrur në burime diplomatike.
Gjithmonë sipas këtij mediumi, Marko Gjuriqit të enjten do t’i paraqitet një draft marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën përfshihet njohja e Kosovës nga Serbia.
Një tekst i tillë i publikuar nga një medium tejet i afërt me pushtetin, më shumë duket si një instrument në shërbim të Vuçiqit në lojën e tij rreth dialogut me Kosovën.
Kreu i shtetit serb me gjasë kërkon që këto takime në Bruksel t’i shfrytëzojë si trofe të vogla diplomatike për konsum të brendshëm në Serbi, meqë pas kthimit të Gjuriqit nga Brukseli në ndonjë konferencë për media do të deklarojnë se nuk pranojnë të iu nënshtrohen ultimatumeve të BE’së.
Apo edhe të synojë që të mobilizojë edhe përkrahësit e tij kundër një procesi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, meqë në Serbi kërkesa më e padëshirueshme është ajo për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Një raportim i tillë i Novostit i ka rënë në sy edhe ish-ministrit serb të Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, i cili tashmë është pjesë e Këshillit për Politikë Strategjike.
Sutanovac thotë se një tekst i tillë është një propagandë e turpshme e “Novostit”dhe shton se mbase edhe gazetarët që e kanë shkruar janë ndjerë të turpëruar.
“Çfarë e ndalon një gazetar që të shkruaj një tekst si ky. Duket se kampanja anti-BE që po e bën Novosti është e turpshme e edhe gazetarët janë të turpëruar për atë që kanë shkruar”, ka shkruar Dragan.
Vuçiq edhe në intervistat e tij të fundit ka shprehur kritika në drejtim të Bashkimit Evropian, meqë sipas tij nga Brukseli nuk janë në gjendje që t’i premtojnë një vit të sakt për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Šta sprečava novinara da potpiše ovakav tekst? Izgleda da je antiEU kampanja koji sprovode Novostii toliko sramotna da se i novinari stide onoga što napišu. EKSKLUZIVNO: EU SPREMA ULTIMATUM SRBIJI U ČETVRTAK: Priznajte Kosovo… https://t.co/AObu6vLSNW
— Šutanovac Dragan (@SutanovacDragan) July 29, 2020