Qytetarë nga Britania e Madhe dhe SHBA-të prej kohësh janë duke pranuar përmes postës pako të çuditshme me fara luledielli nga Kina, të cilat ata nuk i kanë porositur fare, shkruan USA Today.
Nuk dihet saktë për çfarë arsye po i pranojnë qytetarët ato, por në SHBA lidhur me këtë autoritetet kompetente kanë paralajmëruar, transmeton Telegrafi.
Pako të tilla shpesh kanë mbishkrim në gjuhën kineze se brenda tyre ka stoli, me qëllim që të shmanget kontrolli i bio-sigurisë apo pagesat shtesë.
Edhe pse shumica e pakove arrijnë në SHBA, ku prej tyre rreth 630 në Florida, qytetarët në Angli gjithashtu kanë filluar të pranojnë dërgesa të ngjashme.
Pako me fara luledielli kanë mbërritur ditëve të fundit edhe në Japoni, kurse autoritetet kanë kërkuar nga qytetarët që të mos i hapin nga frika se mund t’i ekspozohen rrezikut të coronavirusit apo insekteve të ndryshme.
Departamenti i Bujqësisë në SHBA, ka njoftuar se janë njohur me këtë çështje dhe se qytetarë nga mbarë SHBA-të po pranojnë pako që nuk i kanë porositur fare me fara luledielli nga Kina.
Gjithashtu kanë bërë të ditur se po bashkëpunojnë me doganën dhe agjencitë tjerë federale, për ta kuptuar se për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë.
Ekspertë të bujqësisë besojnë se bëhet fjalë për ndonjë lloj mashtrimi që përdorin kompani të ndryshme në internet, kur duan të rrisin reklamimin e produkteve të tyre.
Zyrtarët kinezë kanë bërë të ditur se janë duke punuar në atë drejtim që të ndalin këto dërgesa. Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Wenbin, ka thënë se në Kinë ekzistojnë kufizime për dërgimin e farave të lulediellit me postë.
Posta amerikane dhe ajo kineze janë duke diskutuar rreth mundësisë që këto dërgesa të rrejshme t’i kthejnë në Kinë.