Fjalë Kyçe

Thaçi: Për hir të vizave nuk do të lejojmë që brenda Kosovës të ketë Republikë Serbe

Thaçi: Për hir të vizave nuk do të lejojmë që brenda Kosovës të ketë Republikë Serbe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se për liberalizim të vizave nuk do të lejojnë që brenda Kosovës të ketë Republikë Serbe.

Ai u shpreh se për hir të liberalizimit të vizave nuk mund të japin as autonomi serbëve e as asociacion, ndërsa tha se për këtë nuk do të largojnë as taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.Këto komente ai i bëri në konferencën “20 vjet pas: Perspektivat dhe Sfidat për Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Grupi Ballkanik për Hulumtime të Politikave. Thaçi tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave dhe se mos liberalizimi i vizave po ndodh për shkak të paaftësisë së shteteve anëtare për të marrë këtë vendim. Presidenti Thaçi teksa ka folur për dialogun, tha se më e mira do të ishte që Serbia ta njohë Kosovën, por sipas tij një gjë e tillë nuk po ndodh pasi Beogradi zyrtar ka një orientim tjetër sa i përket vlerave euroatlantike dhe nuk ka presion ndërkombëtar të fuqishëm që ta bindë për ta njohur Kosovën.

Ndërsa ka folur për rëndësinë e arritjes së një marrëveshje mes dy vendeve, ai tha se pa një marrëveshje përfundimtare Kosova dhe Serbia do të stagnojnë në të ardhmen evropiane. Thaçi deklaroi se pa u arritur uniteti i qëndrueshëm funksional mes shteteve të Quintit nuk mendon se do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy shteteve. Kreu i shtetit ka folur edhe për takimin e Berlinit, që sipas tij ka qenë një zhgënjim i madh. Ai tha se ka qenë zhgënjim pasi që nuk ka ndodhur një përafrim për t’u hequr kushti i Serbisë për të vazhduar dialogu. Ndërsa, arsyeja tjetër pse për të ka qenë zhgënjyes, ai tha se nuk kishte ndodhur një koordinim i plotë me SHBA-të.

Ndërkaq, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Departamentin Amerikan të shtetit, Susan Falatko, tha se Kosova duhet të suspendojë taksën për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës që të vazhdohet dialogu. Ajo tha se shohin një mundësi historike që të arrihet një marrëveshje që bazohet në njohje reciproke. Falatko tha se SHBA-të do të vazhdojë t’i mbështesin, por që deklaroi se puna, kompromisi dhe zgjidhja duhet të jetë e institucioneve të të dyja vendeve.

Sa i përket samitit të Parisit, ajo tha se pa një lëvizje në çështjen e taksës nuk e di se çka do të ndodhë në këtë samit. E pyetur se a kanë një kornizë kohore dy shtetet për të gjetur një marrëveshje, Falatko tha se nuk mund të caktojnë afate kohore pasi është një çështje politike. Pezullim të taksës ka kërkuar edhe drejtori i përgjithshëm për marrëdhënie evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Niels Engelschion, i cili tha se me suspendimin e saj do t’i jepej edhe një mundësi dialogut mes dy shteteve./kp/