Fjalë Kyçe

Kosnett: Marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk arrihet pa kompromise

Kosnett: Marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk arrihet pa kompromise

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se në mënyrë që Kosova dhe Serbia të lëvizin përpara, të gjithë duhet të kenë qasje të re ndaj çështjeve dhe “të ndërmarrin hapa të guximshëm për të sjellë ndryshime”.

Duke mos dashur të hyjë në detaje të procesit politik në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, Kosnett tha është e pamundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa u bërë kompromise nga të gjitha palët.

Shtetet e Bashkuara, sipas tij, sa i përket Kosovës dhe Serbisë po përpiqen të fokusohen në gjëra të arritshme në vend se në procese, rregulla dhe protokolle. Kosnett tha se qëllimi i Washingtonit është që të inkurajojë një proces, i cili do të përfundojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, përpjekjet për të zgjidhur problemet politike janë zvarritur për vite të tëra, pa u bërë përparim i madh. Andaj, tha ai, SHBA-ja vendosi që të fokusohej në çështjet ekonomike mes dy vendeve.

Duke folur për marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, ambasadori Kosnett tha se është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që t’iu përmbahen zotimeve të dhëna në Washington.