Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se kryeparlamentari Kadri Veseli është dashur të dorëhiqej pasi u publikuan videot e të dyshuarve për fajde e detyrim, në të cilat video përmendej edhe emri i Veselit.
Ai ka thënë në Rubikon të KTV-së, se një dorëheqje e Veselit do të tregonte përgjegjësi publike dhe do të tregonte se ai s’ndihet fajtor.
“Në videot për fajde nuk përmenden emrat e LDK-së, por të zyrtarëve të PDK-së, pa interferuar a janë të përzier a jo. Duhet të jepet llogari pse po përmenden e sa më shpejtë e vërteta të dalë në dritë. Një politikan i përgjegjshëm kur ndodh diçka e tillë e merr përgjegjësinë publike, jo penale. Është e udhës në veprime të tilla të tërhiqesh e t’i lësh organet të kryejnë punët e tyre. Ai person me këtë veprim do të tregonte se nuk e ndjen veten fare fajtor e pastaj e vërteta të zbulohet sa më parë”, ka thënë Hoti.