Deklarata e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq se shqiptarët “janë njerëz të dalë nga mali”, në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio, nxiti reagime të shumta.
Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi e shumë personalitete tjera.
E, lidhur me këtë deklaratë të Brnabiq, ka filluar edhe një fushatë kundër saj në Twitter me hashtagun “Njerëzit nga mali” dhe “Fjalë për fjalë të shfaqur nga mali” (peoplefromthewood dhe literallyjustemergedfromthewoods).
Kësaj fushate përveç qytetarëve të shumtë i janë bashkuar edhe shumë figura të njohura publike si: ministri i MPJ-së, Behgjet Pacolli, deputetja Mimoza Kusari-Lila, ministri i zhvillimit ekonomik, Vladrin Lluka, ish-zv.ministri i MPJ-së, Petrit Selimi, gazetarja Gjeraqina Tuhina, gazetari Adriatik Kelmendi e shumë persona të tjerë nga fusha të ndryshme.
Në postimet e tyre në Twitter përveç hashtagut ata kanë shkruar edhe përshkrime të tilla si: “Ecja në pyje është e shëndetshme”, “Pyjet tona flasin Brnabiq”, “Kur gjuetia nuk shkon siç është planifikuar” etj.
Po ashtu në postimet në Twitter shumica kanë përdorur edhe fotografitë e shqiptarëve nëpër botë siç janë: Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Era Istrefi, Ramë Lahaj, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Majlinda Kelmendi, Uta Ibrahimi e shumë shqiptarë të tjerë, duke shkruar se “edhe këta janë nga mali”.
Kjo fushatë kundër kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq ka filluar të marrë përmasa të mëdha në Twitter.