Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, thotë se do e rrëzojnë qeverinë Haradinaj, derisa nuk përjashton as një koalicion parazgjedhor me VV’në, transmeton Gazeta Metro.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vlerëson se “Qeveria Haradinaj” , e ka humbur moti legjitimitetin dhe se është duke u përballur me skandale të njëpasnjëshme dhe si e tillë duhet t’i ndërpritet mandati.
Ish – kryeministri Mustafa në një intervistë dhënë Agjencisë së Lajmeve EkonomiaOnline, thotë se Kosova ka nevojë të bëjë ndryshime dhe që kjo qeveri të bie sa më shpejtë, pasi që nuk mund të qojë përpara asnjë proces, sic është dialogu, njohjet, liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE.
Për këtë qëllim thotë se tashmë kanë vendosur që bashkë me Vetëvendosjen dhe PSD-në të ngritin mocion mosbesimi për Qeverinë.
“Po punojmë edhe me Vetëvendosjen dhe Partinë Socialdemokrate, do të punojmë edhe me partitë tjera që janë në pozitë që t’i bindim se nuk i kontribuon Kosovës një qeverisje e tillë. Sa i përket VV-së ata janë gjithsesi të vendosur që qeveria duhet të rrëzohet me votën e mosbesimit. Sa i përket PSD-së unë kam biseduar dje me kryetarin e saj. Është një vullnet i tyre që të shkohet në zgjedhje, natyrisht ata i kanë edhe disa orientime të tyre të cilat për ta mund të jenë të arsyeshme. Mendoj që mund të gjejmë gjuhë të përbashkët, por gjithsesi duhet të bëjmë përpjekje që të kemi edhe përkrahjen qoftë të deputetëve të partive që janë në pozitë në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje”.
Megjithatë Mustafa thotë se nuk pret që pozita të japë votë për rrëzimin e qeverisë, ngase është akomoduar mirë duke punësuar njerëz nëpër dikastere që ata udhëheqin.
I pari i LDK-së, thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe se tashmë kanë edhe platformën zgjedhore, e cila parasheh që kjo parti të shkojë e vetme në zgjedhje.
Por nuk përjashton një koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, nëse partitë në pushtet synojnë të shkojnë prapë bashkë në zgjedhje.
E pranon se si e vetme nuk mund të arrijë synimet për të dërguar PDK-në në opozitë, me të cilën thotë se më nuk do të bashkëqeverisin asnjëherë.
“Kjo marrëveshje nuk do të thotë që ne të shkojmë vet. Ne duhet ta shohim si është situata. Nëse të tjerët bëhen bashkë, atëherë ne e dimë paraprakisht që nuk do të arrijmë ti mundim 2 apo 3 parti bashkë dhe në këtë aspekt ne do të vlerësojmë si LDK mënyrën e të shkuarit në koalicion. Me kë do të shkojmë në koalicion nuk e kemi vendos, nuk kemi ndonjë përkufizim të veçantë. Kemi një bindje të LDK-së dhe timen se nuk duhet të shkohet me PDK-në. Është një parti që objektivisht e ka kap shtetin, të gjitha institucionet e shtetit, ndërsa me të tjerët do të bëjmë përpjekje të gjejmë gjuhë”, thotë Mustafa.
I pyetur nëse LDK-ja do të hiqte dorë nga posti i kryeministrit, nëse një kusht të tillë do t’ia vënte Vetëvendosja, Mustafa shpjegon se janë marr vesh që partisë që ka më shumë vota t’i takon edhe drejtimi i qeverisë.
“Pozicioni ynë është që partia që ka më së shumti vota, apo parti duhet ta ketë edhe pozitën e kryeministrit të vendit. Sipas të gjitha matjeve që janë bërë LDK-ja është partia e parë dhe ne nuk do ta bindim elektoratin që ne po hymë në zgjedhje por nuk do ta kemi pozitën e kryeministrit, sepse kështu do ta humbim besimin. Ne duhet të jemi korrekt edhe ndaj votuesve tanë dhe jemi të bindur se asnjë parti politike në vend nuk ka kuadro dhe nuk është e përgatitur që në mënyrë të ligjshme ta qeverisë këtë vend, jo në stilin e komandantëve, por që të ketë një qeverisje ligjore, evropiane, ta ketë një orientim evropian dhe euroatlantik, pasi që po shohim se kemi humbur besimin tek miqtë dhe partnerët tanë që na kanë përkrahur deri më tani”, shtoi ai.
Zgjedhjet e brendshme në LDK, Mustafa po i konsideron si të suksesshme, edhe pse dy kuvende zgjedhore u përcollën me dhunë fizike.
Thotë se ata që po bëjnë veprime jo demokratike, asnjëherë nuk do të jenë në strukturat e LDK-së, madje paralajmëron edhe ndëshkim për të tillët.
“Ngjarjet në degën e Mitrovicës dhe të Ferizajt janë të pakëndshme për LDK-në dhe nuk janë ngjarje dhe sjellje që i përngjajnë LDK-së. Nuk e di pse po ndodhin por neve kemi marrë vendim në kryesi se të gjithë atyre personave që bëjnë këso veprime të tillëve që nuk janë demokratike, civilizuese dhe në frymën korrekte nuk do ti japim shansin që ata të vijnë në struktura të LDK-së. Ua kemi bërë me dije edhe këtyre në Mitrovicë edhe atyre në Ferizaj. Po na hyjnë në tubime tona edhe anëtarë tjerë të cilët nuk janë të LDK-së. Nuk kanë shans këta që bëjnë kësi veprimesh të vijnë në struktura të LDK-së”, thotë Mustafa.
I pyetur nëse do të rikandidon për të parin e LDK-së, Mustafa sqaron se qëndrimin e tij do ta bëjë zyrtar vetëm atëherë kur mbyllet procesi zgjedhor.
“Jemi marrë vesh në kryesi dhe në forume tona që ambiciet për kryetar të LDK-së të shprehen momentin kur do të thirret kuvendi zgjedhor i LDK-së dhe e kemi lënë deri atëherë në mënyrë që mos ta ndikojmë opinionin. Edhe këto ngjarje që po ndodhin, si në Mitrovicë dhe Ferizaj e që janë të pakëndshme dhe njerëzit të mos shkojnë atje paraprakisht me ndonjë dëshirë që t’ia bëjmë numrat apo delegatët individit që pretendon të bëhet kryetar. Pra t’i lëmë të gjitha ambiciet deri të kryhen zgjedhjet. Do ta jap qëndrimin tim në momentin kur të mbyllet procesi zgjedhor”.
Mustafa komentoi edhe nismën për Tribunalin për krimet serbe në Kosovë. Thotë se kriminelët duhet dënuar, ndërsa për formimin e Tribunalit mendon se duhet fillimisht të marrin përkrahjen nga BE-ja ose Këshilli i Sigurimit, në të kundërtën do të mbetet vetëm në letër.
“Ne duhet t’i gjykojmë njerëzit të cilët jetojnë në Kosovë që kanë bërë krime. Duhet t’i identifikojmë cilët janë kriminelët e Serbisë që ata të japin përgjegjësi. A mund të bëhet ky Tribunal, apo jo është çështje tjetër sepse duhet ta ketë përkrahjen e të gjithë Bashkimit Evropian ose të Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që ta detyrojë Serbinë që kriminelët t’ia dorëzojë tribunalit. Përndryshe mbetet vetëm një vendim politik i cili mund t’i shërbejë zotit Veseli edhe të tjerëve që po marrin iniciativa për ti dënuar serbët por është vështirë të qohet deri në fund”.
Lider i LDK-së pati një përgjigje edhe për nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili, i cili involvoi zyrtarë të kësaj partie në aferën “Spitali”. Thotë se PDK-ja nuk mund të shfajësohet përderisa kryetari i saj përmendet në këtë aferë. Kërkoi hetim edhe për pretendimet e Ismalit, në kohën sa ky ishte kryetar i Prishtinë.
“Aty nuk kërkohet fajde për leje të spitalit, por fajde kërkohet se kush do të bëhet pronar dhe kush me uzurpuar atë të mirë publike. Qoftë se dikush ka bërë shkelje është çështje e përgjegjësisë individuale, mirëpo korrupsioni, fajdetë, kjo aferë shumë e madhe nuk mund të mbulohet me një aferë artificiale të cilën dëshiron dikush ta krijojë. është çështje krejtësisht tjetër. Qoftë se organet e shtetit gjejnë ndonjë shkelje këtu është punë tjetër por nuk mund ta mbulojë deklaratën e të tjerëve që thonë se kryetari i kuvendit i ka marr 200 mijë euro. E si ndodh prej 2012 e mos me thirr askush në prokurori në pyetje. Pra këtu kemi një drejtësi selektive”.
Mustafa krejt në fund ka ngre një paralele mes Qeverisë sa ai e kishte drejtuar dhe aktuales.
Akuzon koalicionin qeverisës për mbajtjen në detyrë të shumë ministrave me aktakuza.
Jep një shembull kur ministri i tij pati dhënë dorëheqje në momentin e ngritjes së aktakuzës.
“Ne e kemi pas marrëveshje me PDK-në që çdo njeri që do ti ngrihet aktakuza duhet të jap dorëheqje. z. Aganin nuk ju ka ngrit aktakuza për Ministrinë aktuale por kur ka qenë ministër i Shëndetësisë. Z. Agani të nesërmen ka ardh dhe vet ka kërkuar që të lirohet nga detyra dhe kjo ka qenë korrekt. Ka qenë edhe një rast i zëvendësministrit nga radhët e LDK-së që iu ka ngrit aktakuza e ka jap dorëheqje edhe pse ai tash ka dal i pafajshëm. edhe një rast tjetër kur kam emëruar një zëvendësministër nga PDK-ja të cilit porsa iu ka ngrit aktakuza ka jap dorëheqje. Kemi masur rreth 50 persona të tillë që i kemi larguar nga pozitat shtetërore. sot e kemi një qeveri me 1/3 e ministrave me aktakuza”, përfundon Mustafa.