Administrata e ardhshme e presidentit të zgjedhur, Joe Biden mund të ndryshojë me shpejtësi një sërë politikash të emigracionit të Presidentit Donald Trump, shumë prej të cilave mbeten ndër iniciativat më të debatueshme të administratës së tij.
Biden, sipas VOA-s, mund të shfuqizojë shumë udhëzime duke përdorur të njëjtin mekanizëm që presidenti Trump përdori për t’i zbatuar ato – urdhrat ekzekutivë. Megjithatë, vendime të tjera do të kërkojnë më shumë se kaq, thonë ekspertët. Në katër vitet e fundit, presidenti Trump ishte autori i më shumë se 400 akteve rregullatore që i ndërmori përmes autoritetit të tij ekzekutiv. Michele Waslin, koordinatore e programit në Institutin për Kërkime të Imigracionit në Universitetin George Mason, i tha Zërit të Amerikës se lista përfshin kufizime të gjera të udhëtimit, ndryshimin e përparësive për emigracionin, ndryshimin e rregullave të azilit, një deklaratë emergjente për ndërtimin e murit të kufirit dhe pakësimin e numrit të pranimit të refugjatëve.
Sipas tij, zhbërja e politikave të vjetra do të jetë komplekse. Brenda 100 ditëve të para, Biden-i pritet të shfuqizojë urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump që ndaloi shumicën e shtetasve nga vende të caktuara të vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Fillimisht, kufizimet shenjëstruan qytetarët e disa vendeve me shumicë myslimane por u zgjeruan për të përfshirë vende të tjera që Uashingtoni i konsideron si kërcënuese për sigurinë. Pritet po kështu të rihapet programi DACA për të gjithë aplikantët e kualifikuar, i cili mbron nga deportimi njerëzit e sjellë në moshë të mitur, në mënyrë të paligjshme në SHBA. Biden gjithashtu është zotuar t’i dërgojë Kongresit legjislacionin për t’u siguruar status ligjor shumë emigrantëve pa dokumente në vend.