Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se çështja e të pagjeturve është primare në dialogun me Serbinë.
Ai në seancë ka thënë se në dialogun me palën serbe i cili është i ndërmjetësuar nga BE-ja, temë e parë është çështja e të pagjeturve.
“Po bëjmë përpjekje maksimale që të bëjmë progres në këtë çështje. Nga të gjitha qeveritë janë bërë përpjekje maksimale. Dialogu me palën Serbe i ndërmjetësuar nga BE-ja, jo rastësisht ka filluar me temën e parë që është çështja e të pagjeturve. Fakte të reja nga debatet televizive që nxjerrin në opinion mundësinë e 16 varrezave masive Deklarimet për varreza masive e fuqizojnë edhe më tepër përpjekjen për gjetjen e trupave”, ka thënë ai.
Hoti ka shtuar se synimi i tij mbetet kjo çështje dhe marrëveshja me Serbinë në fokus do ta ketë këtë temën e të pagjeturve.
Hoti këto deklarime i ka bërë pas pyetjes së deputetes së VV-së, Fitore Pacolli. Ajo e ka pyetur Hotin nëse do ta kushtëzojë dialogun me Serbinë me çështjen e të pagjeturve.
“Deklarimin e Kryetarit të Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës i cili ka folur për ekzistimin e 16 varrezave masive në Serbi dhe Serbia asnjëherë nuk ka dhënë informata për këtë çështje. A do ta kushtëzoni pjesëmarrjen e Kosovës në dialog me zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe me fillimin e hetimit zyrtar nga ana e Serbisë për fshehjen e fakteve për personat e pagjetur”, ka pyetur ajo.