Fjalë Kyçe

Kryetari i Malishevës vazhdon të jetë i shtrirë në Infektivë, gjendja e tij është e rëndë

Kryetari i Malishevës vazhdon të jetë i shtrirë në Infektivë, gjendja e tij është e rëndë

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, vazhdon të jetë i shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e koronavirusit. Megjithëse, ditëve të fundit ka parametra të përmirësimit, ai akoma po trajtohet me oksigjenoterapi dhe ka hyrë në ditën e 19-të prej kur është testuar për koronavirus.

Për të mësuar më shumë rreth gjendjes së tij shëndetësore, Gazeta Express ka kontaktuar me nënkryetarin e kësaj komune, Hajdin Berisha, i cili njoftoi se ditëve të fundit kryetari Begaj ka përmirësime në shëndet.

“Fatkeqësisht gjendja ende paraqitet e rënduar e kryetarit, megjithëse 2-3 ditët e fundit ka parametra të përmirësimit, e ka një stabilitet më të madh sesa në ditët paraprake. Akoma po vazhdon trajtimi i tij në Klinikën Infektive në QKUK, po shpresojmë në më të mirën megjithëse sot është dita e 19-të prej kur kryetari është testu për COVID-19. Është me oksigjen të vazhdueshëm”, tha Berisha.

Tutje Berisha tha se Begaj nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese dhe nuk dihet se nga kush është infektuar ai.

“Prej larg e kemi vizitu, për momentin nuk ka sëmundje tjetër shoqëruese por po dalin në shesh pasojat që ia ka lënë koronavirusi. Nuk e dinë nga ka ardhur infeksioni”, përfundoi ai.

Kosova ka hyrë në valën e dytë të koronavirusit, së fundmi numri i rasteve pozitive ka shënuar rekorde të reja në vend.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 501 raste pozitive, 250 të shëruar dhe 13 vdekje.

Numri total i rasteve pozitive është 29.117 raste nga 118.946 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 822 raste të vdekjes, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 17.305 raste, kurse numri i rasteve aktive ka shkuar 10.990.