Dega e PDK-së në Prizren të martën ka akuzuar qeverinë komunale se nga viti në vit po tregon performancë të dobët në menaxhimin e mjeteve buxhetore. Sipas këtij subjekti politik, mjetet e pashpenzuara nga Ekzekutivi lokal po kanë pasoja negative për ekonominë lokale dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kryetari i Degës së PDK-së, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se në 3 vjetët e shkuar të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren shuma e mjeteve të pashpenzuara mund të arrijë shifrën prej afër 25 milionë eurove. Madje ka shprehur bindjen se këto argumente dëshmojnë keqqeverisjen e Vetëvendosjes në Prizren.
“Kur e kemi parasysh faktin se për tre vjet sa është në pushtet VV-ja dhe kryetari Haskuka, suficiti buxhetor në Komunën e Prizrenit kap shumën alarmante prej 19 milionë e 209 mijë eurosh, dhe kur kësaj shume i shtohen edhe 5.5 milionë euro që Komuna i humb për vitin e ardhshëm për shkak të mosvotimit të buxhetit, arrijmë deri tek shuma më tepër se alarmante prej afër 25 milionë euro apo saktësisht 24 milionë e 709 mijë euro, që në esencë tregon keqqeverisjen, e cila po ndodh në Komunën e Prizrenit, në tre vjetët e fundit”, ka thënë Totaj.
Ai ka theksuar se më datë 1 nëntor 2020 është mbyllur viti buxhetor për zotime, për kategorinë e investimeve kapitale, dhe se nga buxheti i alokuar për vitin 2020 në vlerë prej 21 milionë eurove kanë ngelur pa u paguar dhe zotuar ende rreth 13 milionë euro. “Nga burimi i financimit granti qeveritar kanë ngelur pa u zotuar dhe paguar rreth 9 milionë euro, nga burimi i financimit të të hyrave vetjake kanë ngelur pa u zotuar dhe paguar rreth 2.8 milionë euro, nga burimi i financimit të hyrat e bartura kanë ngelur pa u zotuar dhe paguar rreth 1.2 milionë euro. Kur kanë ngelur edhe një muaj e gjysmë deri në përfundimin e afatit për realizimin e pagesave, vjen në pyetje si do të shpenzohen rreth 13 milionë euro pagesa, pra po flasim për mbi 60% të buxhetit të alokuar”, ka deklaruar Totaj.
Sipas tij, duhet përkujtuar se suficiti në dy vjetët e shkuar ka qenë mbi 6 milionë euro, që tregon paaftësinë e qeverisë lokale për menaxhimin e mjeteve buxhetore që Komuna i ka në dispozicion.
Totaj ka shtuar se këto mjete të humbura mund të përkthehen si më pak projekte të realizuara dhe më pak para në qarkullim për zhvillimin ekonomik lokal.
“Mungesa e kapaciteteve menaxhuese të buxhetit, si dhe jofleksibiliteti i kryetarit dhe stafit të tij, dhe injoranca që po i bëhet opozitës, janë vetëm disa nga shkaktarët e kësaj gjendjeje, e cila bizneseve të Prizrenit ua ka larguar nga qarkullimi afër 25 milionë €, që në këtë gjendje të vështirë ekonomike ka pasoja më të rënda, se në rrethana normale”, është shprehur kreu i Degës së PDK-së.
Lidhur me këto pretendime të PDK-së, deri në momentin e raportimit nuk ka pasur reagim nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit.
Suficiti nga granti qeveritar bazuar në raportet financiare vjetore të Komunës së Prizrenit në vitin 2018 ka qenë afër 2.4 milionë euro, derisa në vitin 2019 ka qenë afër 3.6 milionë euro.