Fjalë Kyçe

BE-ja mbështet Kosovën me 26.5 milionë euro për ta luftuar ndikimin të krizës së COVID-19

BE-ja mbështet Kosovën me 26.5 milionë euro për ta luftuar ndikimin të krizës së COVID-19

Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës kanë nënshkruar sot një kontratë me vlerë 26.5 milionë euro që do t’i ndihmojnë Kosovës të adresojë pasojat e pandemisë COVID-19. Pagesa e parë prej 20.5 milionësh pritet që të bëhet përpara fundit të këtij viti.

Kjo mbështetje e re e BE-së do t’i sigurojë buxhetit të Kosovës fonde shumë të nevojshme për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës së COVID-19 mbi qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Në veçanti, fondet e BE-së do të përdoren për t’u ndihmuar mikro-ndërmarrjeve dhe të vetë-punësuarve për të rritur likuiditetin e tyre financiar përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, për grante dhe subvencione për fermerët, si dhe për t’u ndihmuar komuniteteve jo-shumicë që janë goditur më rëndë nga pandemia. Fondet e BE-së do të mbështesin edhe bizneset e fokusuara në eksportimin e mallrave dhe shërbimeve.

Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, pas nënshkrimit të marrëveshjes me kryeministrin Avdullah Hoti, tha se përmes kësaj mbështetjeje BE do të mund të ndihmojë bizneset, gratë dhe burrat të cilët e kanë të pamundur për të përballuar vështirësitë financiare me të cilat përballen në këtë situatë të vështirë.

Sipas tij, mbështetja e BE vjen mbi mbështetjet e tjera të tilla si pajisjet shëndetësore emergjente, grantet dhe huat e tjera që BE dha në fillim të këtij viti.

“E gjithë mbështetja emergjente e BE-së për Kosovën për të ndihmuar në trajtimin e pandemisë arrin në 160 milionë euro dhe kjo shifër nuk përfshinë mbështetjen e dhënë nga Bashkimi Evropian prej më shumë se 400 milionë euro. Këto janë kohë të vështira, por ne jemi së bashku në këto kohë të vështira. Shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje të gjithë atyre që janë duke na ndjekur që të bëjnë çfarë të munden për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi”, tha ai.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen që po i ofron Kosovës. Derisa ka shtuar se situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka treguar se sfidat mund të përballohen vetëm duke punuar së bashku.

“Pas një pune të shkëlqyeshme të bërë nga ekipet tona të përbashkëta, sot kemi ardhur në momentin që të nënshkruajmë këtë mbështetje nga BE-ja për Kosovën dhe unë kam nderin ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar BE-në, qytetarët e BE-së, taksapaguesit e BE-së për mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht këtë vit kur po përballemi me probleme ekonomike dhe sociale si rezultat i pandemisë, dhe po ndajmë të njëjtin fat me vendet e tjera të rajonit dhe BE-së dhe besoj se situata pandemike që po kalojmë na tregoi se ne mund t’i përballojmë sfidat vetëm duke punuar së bashku”, tha Hoti.

Tutje ai tha edhe se nëpërmjet kësaj marrëveshje është më se e nevojshme në fund të vitit e që ndihmon grupe specifike të qytetarëve të vendit, duke përfshirë këtu edhe bizneset.

“Është kënaqësi që ekipet tona punuan së bashku gjatë kësaj kohe për t’u siguruar që Qeveria e Kosovës të plotësoi disa kërkesa specifike për të marrë këtë mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, e cila është më se e nevojshme në fund të vitit për të ndihmuar grupe specifike të qytetarëve tanë, duke përfshirë këtu edhe bizneset, dhe për të plotësuar buxhetin e shkurtuar për shkak të situatës aktuale të pandemisë me Covid, dhe ishte një kënaqësi që ishte vlerësuar që kjo qeveri ka ruajtur stabilitetin financiar, situatën mikrofinanciare gjatë kësaj kohe që po kalojmë dhe gjithashtu një listë të kërkesave që kemi diskutuar në takimin që kemi pasur, dhe gjithashtu angazhimin, dhe strukturat që kemi krijuar brenda qeverisë , përfshirë Zyrën e Kryeministrit, e cila është përgjegjëse për të gjitha çështjet që lidhen me bashkëpunimin me BE-në”, tha Hoti.

Kontrata u nënshkrua nga ambasadori Szunyog dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas një takimi ku Qeveria u zotua të hartojë kritere të qarta dhe masa të targetuara mirë për përdorimin e fondeve.

Si BE-ja ashtu edhe Qeveria theksuan rëndësinë e procedurave transparente të prokurimit publik për të fituar besimin e publikut. Në këtë drejtim, Qeveria u dakordua të zhvillojë ligjin e ri të prokurimit publik, duke ndjekur praktikat më të mira legjislative.

Qeveria gjithashtu u zotua të vëzhgojë Ligjin për Organizimin e Administratës Shtetërore gjatë dizajnimit të strukturave të reja të brendshme të ministrive, dhe të shikojë legjislacionin e ri për rekrutimin e administratës shtetërore, në mënyrë që të vendoset një administratë publike që funksionon më mirë dhe është e depolitizuar.

Mbështetja e BE-se vjen pas një pagese për mbështetjen e buxhetit prej 10 milionë eurosh të bërë në muajin korrik, kredisë për ndihmë makro-financiare prej 50 milionë eurosh të paguar në tetor, dhe ndihmës emergjente për sistemin e kujdesit shëndetësor të dhënë më parë këtë vit. Më shumë mbështetje do të vijë në muajt e ardhshëm/KsP.