Policia e Kosovës në Pejë, sonte për herë të dytë pas më shumë se 10 ditësh e ka gjobitur me 200 euro një taksist, pasi i njëjti në të dyja rastet ishte hasur duke punuar gjatë orës policore, shkruan Gazeta Sinjali.
Taksisti i gjobitur ka folur për Gazetën Sinjali, i cili tha se kjo është hera e dytë që është dënuar me vlerë prej 200 eurosh. Herën e parë i është shqiptuar tiketa, një ditë pas hyrjes në fuqi të masave të reja anti-COVID, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, më 14 nëntor.
I njëjti tha për Sinjalin se përkundër se ka tentuar që t’u prezantojë zyrtarëve policorë licensën e tij të punës, ata nuk kanë pranuar ta shohin.
Gazeta Sinjali ka tentuar që të marrë informacione edhe nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, por ata kanë qenë të paqasshëm.
Për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që lëvizja e qytetarëve në Komunën e Pejës të ndalohet nga ora 19:00 deri në orën 05:00. Por, në të njëjtin vendim pika e nëntë thotë se “Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes”.