Fjalë Kyçe

Këto janë qytetet që ndan mijëra euro për stolisjen e shesheve dhe ato që zgjodhën të mos zbukurohen

Këto janë qytetet që ndan mijëra euro për stolisjen e shesheve dhe ato që zgjodhën të mos zbukurohen

Festat e fundvitit çdoherë bëhen edhe më të ngrohta, falë dekorimeve nëpër qendrat e komunave të Kosovës.

Për dallim nga vitet e kaluara kur thuajse të gjitha qytetet janë dekoruar, gjërat kanë ndryshuar paksa këtë fundvit.

Jo të gjitha komunat do të dekorohen dhe disa nga kryetarët e komunave zgjodhën që paratë që zakonisht ishin te destinuara për këtë çështje, të dhuroheshin për nevojtarët.

Por komuna e Prishtinës tash e disa ditë veçse është duke përfunduar procesin e dekorimit.

Sheshet e Prishtinës kanë filluar të marrin paksa hijeshinë e festave, pavarësisht situatës së rëndë të krijuar nga pandemia COVID-19.

Komuna e Prishtinës vitin e kaluar pati lidhur kontratë tri vjeçare për dekorimin e shesheve të qytetit për festat e fundvitit, ku vlera e përgjithshme e kontratës është 190 mijë euro, ndërsa për secilin vit i bie të jenë ndarë nga 65 mijë euro.

Por është Komuna e Pejës e cila ende nuk është dekoruar, por që pritet që këtë gjë ta bëjë së shpejti.

Në një përgjigje dhënë për lajmi. net nga Zyra për Informim në Komunën e Pejës u tha se të njëjtit janë ende në fazën e tenderimit dhe se nuk kanë përfunduar procedurat e parapara me ligj.

Për këtë projekt të dekorimit, Komuna e Pejës ka ndarë 30.000.00 euro.

“Qyteti i Pejës ende nuk është dekoruar, jemi në fazën e tenderimit, ende nuk kanë përfunduar procedurat e parapara me ligj. Për këtë projekt Komuna e Pejës i ka nda 30,000.00€, besojmë që shumë shpejt projekti do të implementohet”, u tha në përgjigje.

Ngjashëm do të veprohet edhe në një prej komunave më të vizituara në Kosovë, me atë të Prizrenit.

Nga Zyra për Informim e kësaj komune kanë bërë të ditur se Prizreni do të dekorohet për festat e fundvitit dhe se buxheti i ndarë për këtë është 30.000.00 euro, njësoj me atë të Pejës.

“Dekorimi do të fillojë pasi që të përfundojnë procedurat, pasi aktualisht jemi në fazat e procedurës së tenderimit që është duke u proceduar nga zyra e prokurimit dhe më pastaj të fillohet me implementimin e projektit.Komuna e Prizrenit në planifikimin buxhetor ka ndarë mjete në vlerë prej 30.000,00€ për të realizuar projektin e dekorimit të qytetit”, u tha në përgjigjen e Komunës së Prizrenit dhënë.

Pa u dekoruar këtë fundvit do të jenë Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Skenderajt, njëra e udhëhequr nga Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje e tjetra e udhëhequr nga Bekim Jashari.