Disa shtete evropiane janë duke lehtësuar masat kufizuese për luftim të koronavirusit, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëhet thirrje për qëndrim në shtëpi teksa po rritet numri i të infektuarve me këtë virus.
Në Los Angeles do të nisë izolimi për 10 milionë banorë, pas regjistrimit të më shumë se 4500 rasteve ditore. Vendimi ua ndalon banorëve që të mblidhen me të tjerët jashtë shtëpisë, mirëpo lejon organizimet fetare dhe protestat, meqë janë të mbrojtura me kushtetutë.
Numri i të infektuarve me koronavirus, i të hospitalizuarve dhe të vdekurve, është rritur në SHBA, duke nxitur masa kufizuese në shumë shtete dhe qytete.
Një ditë pasi amerikanët kanë festuar Ditën e Falënderimeve, qendrat tregtare janë përballur me numër më të vogël konsumatorësh për këtë festë.
Ndonëse përhapja e virusit vazhdon të ulet, falë masave kufizuese, Evropa vazhdon të jetë në qendër të pandemisë, duke regjistruar më shumë raste të infektimit sesa SHBA-ja javën e kaluar.
Disa shtete evropiane janë duke lehtësuar masat në prag të sezonës së festave.
Dyqanet do të mund të shesin mallra jo të domosdoshme në Francë nga 27 nëntori, kanë njoftuar autoritetet, duke bërë të ditur se izolimi kombëtar mund të hiqet më 15 dhjetor, nëse shifrat për koronavirus përmirësohem.
Belgjika ka njoftuar se dyqanet mund të rihapen më 1 dhjetor, mirëpo izolimi i pjesshëm do të zbatohet deri në mesin e muajit janar.
Italia do të lehtësojë kufizimet në pesë rajone nga 29 nëntori, derisa Irlanda ka njoftuar se do të lejojë hapjen e disa bizneseve.
Në nivel global, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar më shumë se 61 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe 1.4 milion viktima të lidhura me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Shifrat reale besohet se janë shumë më të mëdha, si pasojë e mungesës së testimeve në shumë vende dhe mënyrave të ndryshme të raportimit të viktimave.