Një person është vrarë sot në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Sipas Policisë, i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën. Policia ka bastisur banesën e të dyshuarit por i njëjti nuk ishte gjetur aty.
Mëngjesi i së hënës ka tronditur banorët e lagjes “Dardania” në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar brenda një veture të tipit Audi ku edhe ishte gjetur kufoma. Ndërsa i dyshuari i cili është identifikuar nga Policia, kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
T7 ka qëndruar në vendin e ngjarjes, aty ku u vra një person nga arma e zjarrit.
Gjatë qëndrimit atje, ekipi i T7 ka kapur momentin kur nga koshi i pleharave nxirret një revole, e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.
Rastin e kanë konfirmuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës me anë të një njoftimi për media.
“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje dhe ngritur dyshimi se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën”, thuhej mes tjerash në njoftimin e Policisë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për Express se është bastisur banesa e të dyshuarit.
“Policia ka kryer një operacion bastisjeje në banesën e të dyshuarit por i njëjti nuk është gjetur aty. Ndërkohë që është bërë edhe gjurmimi dhe kërkimi për prova dhe evidenca të cilat ndërlidhen me rastin në një perimetër më të gjerë teëhapsirës ku ka ndodhur ngjarja”, ka deklaruar Borovci.
Ai tutje thotë se në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur një revole e cila dyshohet se është përdorur nga i dyshuari.
“Pak me tutje nga vendi i ngjarjes rreth100- 150 metra nga aty, ne nje kosh plehrash, policia ka gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet te jetë arma e përdorur nga i dyshuari”, ka thënë Borovci.
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim shtetasin e Turqisë, Atila Yaldirim, 53 vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e një personi në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Policia ka kërkuar nga qytetarët që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192
“Referuar rastit të vrasjes që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 ne rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë. Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, pas identifikimit të personit të dyshuar me autorizim të Prokurorisë së shtetit, shpallë në kërkim personin e dyshuar; ATILA YALDIRIM (1967), shtetas i Turqisë. Duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në veçanti për këtë rast, po ju përcjellim fotografinë e pesonit të dyshuar dhe kërkojmë nga të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192″, thuhet në komunikatën e Policisë.