Për një periudhë prej katër muajsh duke filluar nga sot, qytetarët mund të aplikojnë për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale në Trustin Pensional.
Sipas Nenit 12, paragrafi 2 i Ligjit për Rimekëmbje Ekonomike, të publikuar sot në Gazetën Zyrtare, çdo aplikacion që bëhet katër muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit nuk do të shqyrtohet.
“Me qëllim të tërheqjes së mjeteve sipas paragrafit 1. Të këtij neni, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Çdo aplikacion që merr FKPK në formë elektronike e trajton atë si të mirëqenë dhe zyrtare, dhe shqyrton kërkesën sipas dispozitave të këtij neni”, thuhet në Nenin 12 të ligjit.
”Procedura e aplikimit zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për procedurën e përgjithshme administrative”, thuhet shprehimisht në ligj.
Ndërkaq, paragrafi 3 i Nenit 12 të Ligjit thotë se “Aplikacioni është i kushtëzuar me pëlqimin e aplikantit për përpunimin e të dhënave të tij, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Sipas ligjit, pagesa e mjeteve të aprovuara “bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës së njësive që ka çdo aplikant në llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës”.
Ligji për Rimekëmbjen Ekonomike ka hyrë në fuqi sot.