Fjalë Kyçe

Nga sa para kanë në Trust punëtorët e sektorit privat

Nga sa para kanë në Trust punëtorët e sektorit privat

Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë më pak se 10 euro nga Trusti Pensional i Kosovës, në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, e cila u miratua në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, mbi 150 mijë punëtorë të këtij sektori kanë punuar pa kontrata dhe rrjedhimisht nuk do të përfitojnë asnjë cent nga Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike, ku do të mund të tërhiqnin 10 përqind të mjeteve nga Trusti.

Disa punëtorë të sektorit privat kanë thënë për lajmi.net se nuk kanë mjete të mjaftueshme në Trust për të t’i tërhequr ato.

P.SH e cila punon në një dyqan në Prishtinë ka thënë për lajmi.net se punon që dy vite, por në Trust i ka vetëm 500 euro.

Ajo thotë se edhe po t’i tërheq 50 euro nga trusti, ato nuk janë asgjë as për shpenzime ditore.

“Unë punojë që dy vite, i kam vetëm 500 e Trust. Edhe me i tërheq çka me ba me 50 euro, as dy ditë sun e shtynë, tu i llogariti shpenzimet e përditshme, gjëra ushqimorë e të tjera. Qeveria s’ka ba asgjë për neve, dikush përfiton shumë më shumë e dikush asgjë”, ka thënë ajo.

Edhe A.D thotë se në Trust i ka vetëm 1 mijë e 200 euro dhe nuk mund të tërheq më shumë se 120 euro, derisa shton se kjo shumë është shumë e vogël dhe nuk i ndihmon aspak.

“Po do t’i tërheq, por unë i kam në Trust vetëm 1 mijë e 200 euro, prandaj më shumë se 120 euro nuk mund t’i tërheq. Kjo shumë është e vogël, çka me ba me këto. Qeveria është dasht me e mendu një zgjedhje tjetër, sepse na nuk po përfitojmë asgjë. Kjo është e tmerrshme”, ka thënë ajo.

Një tjetër punëtore e sektorit privat SH.H ka thënë për lajmi.net se në trust i ka më pak se 2 mijë euro, ndërsa shton se do t’i tërheq mjetet, por që janë shumë të pakta dhe nuk di çka të bëjë më to.

“Unë punoj më shumë se pesë vite, por i kam më pak se 2 mijë euro në Trust. Kompanitë ku kam punuar më kanë paguar trustin, mirëpo rrogat kanë qenë të vogla, prandaj edhe kontributet janë të pakta. Nuk e di nëse do t’i tërheq 200 euro nga trusti. Janë shumë pak çka me ba me këto. Ne kemi pasur më shumë shpenzime për shkak të pandemisë. E gjithë familja kemi qenë me Covid dhe shpenzimet për shërim kanë qenë shumë më të mëdha dhe këto nuk janë asgjë”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se para shumë viteve kanë parë që kompanitë private nuk ua paguajnë trustin punëtorëve dhe ketë problem e kanë adresuar tek institucionet e larta shtetërore.

Por, ai thotë se vetëm tani do të shihen argumentet që ata i kanë dhënë se sa janë paguar kontributet ndaj punëtorëve.

“Faktikisht është bërë një pritje tepër e madhe e çështjes së ndarjes së mjeteve nga trusti. Fillimisht para shumë viteve, kemi parë që kompanitë private nuk janë duke e paguar trustin pensional konform rregullave dhe ligjeve në fuqi që i kemi. Pastaj i kemi njoftuar të gjitha organet relevante duke filluar nga presidenti i shtetit, kryeparlamentari, kryeministri, ministri i punës dhe inspektoratit të punës. Por, tek tani do të shihen një farë forme argumentet që i kemi dhënë se sa janë paguar kontributet ndaj punëtorëve”, ka thënë Azemi.

Azemi po ashtu thotë se më së paku punëtoret e sektorit privat do të jenë përfitues të Pakos për Rimëkëmbje. Ai thotë se përfitues të kësaj pakoje do të jenë vetëm punëtoret e sektori publik.

“E kemi thënë decidivisht pako për Rimëkëmbjen Ekonomike, prapë se prapë përfitues të kësaj pakoje do të jenë punëtorët e sektorit publik dhe më së paku do të jenë punëtorë e sektorit privat. Normal që u dasht që të konsultohen qeveria me sindikatën që të japin instruksione lidhur me këtë pako, por megjithatë definitivisht, duhet të kuptojmë diçka jo që do t’i gëzojë punëtoret e sektorit privat, përkundrazi do t’i hidhërojë shumë, do të shihet një gjendje reale se ku jemi dhe sa jemi”, ka thënë Azemi.

Azemi tutje thotë se janë mbi 100 mijë punëtorë të cilët do të përfitojnë më pak se 10 euro nga kjo pako.

“Vet fakti që i kemi mbi 104 mijë punëtor të cilët kompanitë, në llogarinë e punëtorëve për trust pensional kanë paguar nga zero deri në 100 euro, kjo i bie që 100 mijë punëtor do të marrin më pak para se sa 10 euro tregon se në çfarë niveli kemi qenë. Përndryshe jemi kategoria e dytë që janë rreth 200 mijë punëtor, të cilët në fondin e tyre kanë nga 100 deri në 1 mijë euro, që i bije që ata do të marrin nga 10 deri në 100 euro, që do të thotë pjesa dërrmuese e punëtorëve nuk mund ta arrijnë një shifrën më shumë sesa 100 euro tërheqje. Unë mendoj që do të këtë një reflektim social, kur punëtorët të kuptojnë se pronarët e kompanive të tyre ndoshta me 10 vite duke i gënjyer punëtorët se janë duke i paguar kontributet, e tani është moment që të shihet gjendja se sa kanë paguar e si kanë paguar”, shtoi tutje Azemi.

Ndrysh, dje është publikuar në gazetën zyrtare Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, një ditë pasi atë e dekretoi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Ky ligji është votuar të premten, gjashtë muaj pasi ishte iniciuar nga Qeveria Hoti. Në këtë ligj, ndër të tjera parashihet mundësia që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre nga Trusti.