Për 6 ditë me radhë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dhënë lajme të mira sa i përket COVID-19.
Edhe këtë të mërkurë numri i të shëruarve ka kaluar atë të të infektuarve me këtë virus. Sipas IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit 884 pacientë janë shëruar nga COVID-19, ndërsa të raste të reja me koronavirus janë 561.
Por numri i të vdekurve nga COVID-19 vazhdon të jetë ende dyshifror. 11 raste me fatalitet janë regjistruar, në mesin e tyre edhe nje 47-vjeçar nga Komuna e Prizrenit.
927 pacientë janë duke marrë trajtim spitalor në klinikat e QKUK-së e në spitale rajonale, prej të cilëve 647 janë të konfirmuar pozitivë. 11 pacientë janë në respiratorë e 639 janë me oksigjenoterapi.
Derisa shtimi i rasteve me COVID-19, ditëve të fundit, ka vështirësuar dhe ka ngarkuar edhe institucionet në Komunën e Pejës.
Ky shtim i rasteve në vazhdimësi është duke rritur edhe numrin e pacientëve të hospitalizuar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në të cilin aktualisht po trajtohen 145 pacientë në pesë reparte.
“Gjendja është mjaft e vështirësuar. Sepse numri i madh i pacientëve na ka detyruar që t’i marrim disa veprime. Veprimet e para kanë qenë që përveç reparteve që deri tash kanë trajtuar pacientë me COVID, të lirojmë edhe reparte tjera”, ka thënë Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit të Pejës.
Numri i madh i të infektuarve gjithashtu ka rënduar edhe punën në shëndetin primar.
Rreth 200 pacientë me simptoma apo të testuar, brenda një dite marrin terapi në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Fidanishte” të Pejës.
“Gjendja në shëndetin primar javët e fundit paraqitet mjaft e rënduar në krahasim me muajt e mëpërparshëm, për vetë faktin që kemi jashtëzakonisht numër të lartë të pacientëve që frekuentojnë në qendrat shëndetësore që paraqesin simptomatologji të COVID-19”, ka thënë Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë.
Specialisti i mjekësisë familjare, Adem Eminaj, thotë se gjendja ka dalë komplet jashtë kontrollit dhe numri i të infektuarve në këtë komunë është dhjetëfish më i lartë se numrat që jepen nga IKSHP-ja.
“Së paku dhjetë veta janë të tjerë që kanë pasur kontakt me të sëmurin, të infektumin. Domethënë në Pejë pritet 20 mijë veta me kanë që kanë pasë kontakt me virus. Praktikisht, mendimi i imi është”, ka thënë Adem Eminaj, specialist i mjekësisë familjare.
Deri tani numri total i rasteve pozitive ka shkuar në mbi 44 mijë e 400, prej të cilëve mbi 31 mijë kanë arritur të shërohen.