Fjalë Kyçe

Ahmeti: Ka mungesë të disa ilaçeve për trajtimin e COVID-19

Ahmeti: Ka mungesë të disa ilaçeve për trajtimin e COVID-19

Kardiologu Artan Ahmeti ka thënë se shumica absolute e medikamenteve që duhet t’i marrin pacientët kanë qenë në njësinë e tyre Covid-19.

Ai tutje ka shtuar se kohëve të fundit kanë pasur problem të liferimit të disa medikamenteve për shkak të vonesave nga furnizuesi.

“Problemet e fundit janë me sigurimin e ‘Fraxiparines’. Këtë problem e kanë edhe barnatoret dhe jo vetëm QKUK. Është produkt shumë i nevojshëm më e sigurua porse është problem”, ka thënë ai.

Kardiologu Artan Ahmeti në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ndoshta kjo pandemi do t’u hapë sytë politikanëve që të ketë investime të vazhdueshme në shëndetësi.

Ai thotë se koha e pandemisë nuk mendohet të shfrytëzohet për qëllime politike, ose të kërkohet që të rritet koeficienti i pagave.

“Kjo pandemi ndoshta do t’u hapë sytë politikanëve që investimet në shëndetësi të jenë të përditshme, jo sikur kësaj radhe vetëm në specializime. Është punë e vetëmohueshme. Asnjë personel shëndetësor nuk punon për atë pagë. Është emergjencë lufta ndaj një virusi”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se shumë nga personeli shëndetësor janë infektuar dhe kanë vdekur duke punuar.

“Kemi rastin një infermiere në Gjakovë që ka humbur jetën në ditët e fundit të pensionit të saj. Kjo tregon se nuk është çështje pagese puna që bëhet, por motiv i madh i personelit shëndetësor”, ka thënë ai.

Kardiologu Artan Ahmeti ka thënë se për shkak të mungesës së oksigjenit, shumë pacientëve nga komuna të ndryshme iu është dashur të shkojnë në Klinikën e Mjekësisë Sportive.

Sipas tij, aty ka më shumë shtretër të kyçur me oksigjen qendror, duke shtuar se hapja e kësaj klinike është bërë në mënyrë urgjente porse është mirë e organizuar.

“Nga ajo kohë kemi pasur pacientë në gjendje shumë të rëndë. Meqenëse është zgjidhur problemi i oksigjenit nuk kemi tash fluks shumë të madh. Në fillim, në mungesë të oksigjenit në spitalet e komunave përkatëse në klinikën sportive kanë shkuar pacientë nga Ferizaj, Gjilani, e pastaj edhe Malisheva”, ka thënë ai.

Ahmeti ka thënë se për shkak të pengesave të mbushjes së bombolave me oksigjen janë transferuar pacientët në këtë qendër.