Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë se nëse VV-ja dhe PDK-ja duan në të vërtetë zgjedhje, atëherë sipas tij të njëjtat duhet që ta votojnë buxhetin për vitin 2021.
Përmes një postimi në Facebook, Rugova ka thënë se afati i fundit për votimin e buxhetit është Marsi i vitit 2021
Madje Rugova tha se edhe dje në Beograd u pa që Lista Serbe nuk është duke e parë më veten pjesë të koalicionit.
Postimi i plotë:
E shoh që disa prej juve nuk e kuptoni drejt shqetësimin tim rreth lidhjes mes buxhetit dhe zgjedhjeve të parakohshme. Unë kam qenë deputet në dy mandate dhe e njoh mirë dinamikën e punës shtetërore.
Afati i fundit për votimin e buxhetit është Marsi i vitit 2021. Nëse VV dhe PDK vërtet duan zgjedhje atëherë duhet votuar buxhetin, përndryshe do të jenë përgjegjëse për bllokadën totale financiare të vendit me 1 Prill 2021.
Dje në Beograd u pa qartë që lista serbe nuk e sheh më veten pjesë të koalicionit. Veprimet e tyre destruktuve në Kuvend janë po ashtu tregues që ata tashmë punojnë kundër qeverisë Hoti. Shto kësaj edhe pamundësinë për marreveshje rreth Presidentit dhe bëhet e qartë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen para Shkurtit 2021, që do të thotë nuk ka gjasa teorike që qeveria e ardhshme të zgjedhet para Majit 2021 dhe ta kalojë buxhetin, kjo në skenarin më të mirë,
Nuk duhet t’ia komplikojmë jetën qytetarit pa nevojë e për inate provinicale. Duhet lënë retorikat propagandistike dhe duhet marrë vendime serioze për vendin.
Për të tjerat le të vendos sovrani.