Komuna e Prizrenit ka anuluar tenderin për dekorimin e qytetit në fundvit.
Kjo është bërë me arsyetimin se nuk ka pasur oferta të përgjegjshme, meqë operatorët ekonomikë që kishin aplikuar, sipas Komunës, nuk i kanë përmbushur kushtet e kërkuara.
Por bizneset që ushtrojnë veprimtarinë në qendër të qytetit u kanë bërë thirrje organeve komunale që ta gjejnë një zgjidhje alternative.
“Thirrja jonë për organet e Komunës është që të paktën në këto ditë pak të mbetura të reflektojnë dhe ta rregullojnë qytetin që qytetarëve dhe bizneseve t’ju kthejnë një pozitivitet”, ka deklaruar Ilir Shala, gastronom.
Në anën tjetër kryetari Mytaher Haskuka, pavarësisht anulimit të tenderit, tha se dekorimi do të realizohet pikërisht në bashkëpunim me bizneset që kanë shprehur interesim dhe me projektin e planifikuar të dimrit kulturor.
“Dekorimi ka qenë me mallra e shërbime, procedura nuk është përfunduar, faktikisht nuk kemi pas ofertues që kanë përmbush kriteret dhe është anulu. Edhe kjo nuk do të shkoj huq ngaqë 30 mijë eurot do të shkojnë për 270 familje në nevojë, për me ju siguru dru për dimër… Do të ketë dekorim, por jo me atë shumë që e kemi paraparë, është një dekorim më simbolik”, ka thënë kryetari Haskuka.
Komuna e Prizrenit në muajin nëntor pati publikuar tenderin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.
Nga opozita tenderi u konsiderua jo vetëm i panevojshëm, por edhe provokues, për shkak të situatës së rëndë shëndetësore dhe ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.