Fjalë Kyçe

Plagoset me armë zjarri një person në një lokal në Shtime, dorasi kapet nga policia

Plagoset me armë zjarri një person në një lokal në Shtime, dorasi kapet nga policia

Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur sot në Shtime, ndërsa policia ka arrestuar edhe një të dyshuar të përfshirë në incident.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, sipas të cilit rasti ka ndodhur rreth orës 16:40.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e zjarrit që dyshohet se është përdorë, por nuk ka dhënë detaje rreth motiveve të mundshme të këtij rasti.

“Sot rreth orës 16:40 në një lokal afarist në Shtime, policia ka marrë informata për gjuajtje me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku nga dëshmitarët ka kuptuar se një person është dërguar nga qytetarët në ambulancën në Shtime dhe pas ndihmës së parë është dërguar në QKUK në Prishtinë. Sipas mjekëve kujdestar i njëjti ka plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Policia menjëherë është vënë në ndjekje të personit të dyshuar dhe i njëjti është arrestuar. Është gjetur dhe konfiskuar një armë e zjarrit, më të cilën dyshohet se është kryer vepra”, ka thënë Gashi.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se te personi i dyshuar është vërejtur se ka një lëndim në dorë dhe se i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në ambulancën në Shtime.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e specializuara, të cilat janë duke marrë informata për ndriçimin e rastit”, ka thënë Gashi.