Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
“Marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 21 dhjetor.
Më vendimin e Gjykatës thuhet se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese thotë se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.
Qeveria Hoti u votua më 3 qershor, pas rrëzimit të qeverisë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Mocioni i mosbesimit u ngrit nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kërkesa në Kushtetuese u dërgua nga partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka kërkuar që të shpallet i pavlefshëm votimi i qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Më 3 qershor, për zgjedhjen e qeverisë kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, vendim i cili daton më 20 gusht, 2020, ku Arifi ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Gjatë një seance dëgjimore, të mbajtur më 2 dhjetor nga Gjykata Kushtetuese për këtë rast, përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu pati deklaruar se Arifi kishte gënjyer dhe ka mbajtur të fshehur faktin se ka aktgjykim të formës së prerë ndaj tij.
“Prandaj, ne konsiderojmë se procedura në kuvend më 3 qershor është ezauruar dhe se tani duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, pati deklaruar Sallahu.
Gjatë kësaj seance dëgjimore, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka deklaroi se institucioni që ajo udhëheq, nuk ka qenë në dijeni të vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me Etem Arifin. Ajo tregoi se në Ligjin për zgjedhjet, specifikohet se asnjë person, që ka dënim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për zgjedhje të përgjithshme.