Fjalë Kyçe

Brukseli njofton se kur pritet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi

Brukseli njofton se kur pritet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi

Kanë kaluar disa ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti. Kështu vendi ka një Qeveri në Detyrë dhe është në rrugë për zgjedhjet të jashtëzakonshme.

E pavarësisht kësaj situate, nga Qeveria në detyrë ende nuk është marrë ndonjë vendim, se çfarë do të ndodhë me bisedimet me Serbinë.

Nga Zyra e Bashkimit Europian i kanë thënë T7, se do presin deri në publikimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por, thonë se u takon institucioneve të Kosovës të vazhdojnë me hapat e duhur.

“Ne marrim shënime të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe presim botimin e tij të plotë. Tani u takon institucioneve të Kosovës të vazhdojnë me hapat e duhur në përputhje me vendimin. BE do të vazhdojë të angazhohet me të gjithë në Kosovë për të promovuar agjendën e integrimit evropian dhe reformat e nevojshme“

Bashkimi Evropian kërkon që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel. “BE do të vazhdojë të angazhohet me bashkëbiseduesit e saj në Kosovë për Dialogun Beograd-Prishtinë. Për Kosovën dhe Serbinë, rruga e saj përkatëse drejt BE-së kalon përmes Dialogut. Ne vazhdojmë të presim që Kosova të respektojë dhe zbatojë të gjitha marrëveshjet e kaluara”

Ndërkohë, T7 ka kërkuar përgjigje edhe nga vetë Qeveria e Kosovës për një process të tillë.

Por të njëjtit, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete se si do veprojnë. “Po ju rikujtoj atë e ka thënë Kryeministri Hoti në konferencën për media, pas publikimit të aktvendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë qartë se do ta respektoj pa asnjë diskutim vendimin e GJK-së dhe Qeveria në Detyrë do të kryej të gjitha obligimet që parashihen në rrethana të tilla”, thonë nga Qeveria e Kosovës

Sidoqoftë, vëzhguesit e procesit të dialogut vlerësojnë se ky proces në këtë situatë që ndodhet vendi nuk duhet të vazhdojë. Sipas tyre, i njëjtit duhet të pezullohet deri në krijimin e legjislaturës së re.

I të njëjtit mendim është edhe Emir Abrashi nga Demokracia Plus. Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, tashmë ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive politike. E kjo për tu dakorduar për një datë të zgjedhjeve, të cilat pritet të shpallen jo më larg se 40 ditë.