Seanca nisi pak minuta pas orës 18:00. Të hënën, Projektligji për buxhetin 2021 u votua në lexim të parë.
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka lutur deputetët që të votojnë amandamentet në pako dhe jo veç e veç. Sipas saj, Qeveria nuk ka rezerva dhe nuk mund të akomodojë mjete shtesë për projekte të ndryshme.
“Në Komisionin për buxhet dhe financa janë shtuar disa amendamente. Është aprovuar kostoja e vaksinës, që nuk ka qenë e inkorporuar në buxhet. Janë 40 milionë euro shtesë financim nga jashtë për koston e vaksinës. Janë aprovuar amendamentet për katër komuna, të cilat nuk e kanë pasur buxhetin e miratuar nga asambletë komunale. Thirrja jonë është që të mos procedohet me amendamente të tjera, sepse edhe po të vazhdohet nuk mund të ekzekutohen për shkak të limitit. Kërkojmë që amendamentet të votohen si pako për shkak të kohës. Kemi akomoduar buxhetin për zgjedhje. Nëse propozoni amendamente, atëherë luteni ta tregoni edhe burimin e financimit nga do të merren ato mjete, për shkak se nuk ka rezerva më”, ka thënë Bajrami.
Gjithsej janë 149 amandamente dhe vetëm 11 prej tyre kanë përkrahjen e komisioneve.