Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, gjatë këtij muaji ka hapur një tender për ndërtimin e Spitalit të Podujevës.
Ndonëse ndërtimi i këtij spitali nuk është i paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm, tenderi po vazhdon të jetë i hapur.
Më 10 dhjetor të këtij viti, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka shpallur një tender për ndërtimin e Spitalit të Podujevës. Megjithatë, tenderi për ndërtimin e spitalit i cili kap vlerën e 9 milionë e 159 mijë e 833.81 euro, nuk është i paraparë në buxhetin e vitit 2021.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës ishte bërë e ditur se për këtë projekt në buxhetin e vitit 2020 figurojnë 150 milionë euro, ndërsa në buxhetin e vitit të ardhshëm projekti nuk ekziston fare.
Aq më shumë, për shpelljen e këtij tenderi nuk është i informuar as Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, kanë thënë për Express se tenderi për Spitalin e Podujevës është i shpallur.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se ata i kanë bërë kërkesat për ndërtimin e spitalit dhe se janë në pritje të Ligjit për Buxhetin për vitin e ardhshëm.
“SHSKUK ju konfirmon se tenderi është i shpallur, janë bërë kërkesat dhe jemi në pritje të Buxhetit për vitin 2021. Në buxhetin e vitit 2020 ka qenë i paraparë buxheti për hartimin e projektit”, është thënë nga zyra për informim në SHSKUK.
Ndërsa, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë për Express se nuk është i informuar për tenderin e hapur nga SHSKUK.
Ai ka fajësuar ish-kryetarin e Komunës së Podujevës e ish-ministrat e Shëndetësisë që e kanë premtuar ndërtimin e këtij spitali e nuk e kanë bërë atë
“Unë nuk jam i informuar për tenderin dhe ai nuk është përgjegjësi e imja. Për ndërtimin e spitalit duhet të pyeten ata që e kanë premtuar atë, ata që i kanë gënjyer qytetarët, si ish-kryetari i Podujevës”, ka deklaruar ai.
Tutje Bulliqi ka thënë se gjendja në sistemin e shëndetësisë në këtë komunë është e rëndë, dhe premtimet e dhëna për ndërtimin e Spitalit të Podujevës i kanë shkaktuar shumë probleme në menaxhim.
“Spitali ka qenë projekt parazgjedhor, çdo gjë e kanë bërë për fushatë dhe nuk është hera e parë. Është fatkeqësi që qytetarët e Podujevës do të jenë pa spital. Është një situatë shumë e rëndë dhe neve na u janë shkaktuar probleme në menaxhim”, ka shtuar ai.
Ndërsa, për shpalljen e tenderit për ndërtimin e spitalit nga Instituti Demokratik i Kosovës i kishin kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit që të adresojnë këtë çështje para aprovimit të Ligjit për Buxhetin e vitit 2021.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për gazetën se nuk mirren direkt me këto çështje.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të prononcohen për këtë tender.