Fjalë Kyçe

Qeveria në detyrë emëron dy borde të përkohshme

Qeveria në detyrë emëron dy borde të përkohshme

Qeveria në detyrë ka emëruar sot dy borde të përkohshme, atë të KRU Mitrovica dhe të KRU Gjakova.

Vendimet janë marrë sot në mbledhjen e 54-t të Qeverisë Hoti.

Në krye të KRU Mitrovica janë emëruar këta drejtorë, Bahri Kalludra, kryesues, Destan Rrahmani, Riza Shala dhe Besim Shyti.

E në krye të KRU Gjakova janë vënë: Burim Shala kryesues, Mirsad Duraku, Vilson Dura dhe Gardalin Shtavica.

Sipas njoftimit në faqen e Kryeministrisë, Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për dhënien e statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues “Cicavica Wind Farm 1. LLC”.

“Duke u bazuar në rekomandimet e Grupit Operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacionit, Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës dhënien e statusit të investitorit strategjik për subjektin investues “Cicavica Wind Farm 1.L.L.C. Vlera e kapitalit të investimit strategjik është 100 milionë e 620 mijë euro që do të realizohet brenda periudhës pesë (5) vjeçare në zonat kadastrale Dubovc, Kolle, Shallc, Mihaliq, Buquk, Strofc dhe Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë Hoti.

Me vendim të Kushtetueses, Qeveria Hoti është shpallur e paligjshme, pasi vota përcaktuese, ajo e deputetit Etem Arifi, është shpallur e pavlefshme. Për këtë, pritet që të mbahen zgjedhjet e reja në shkurt.