Fjalë Kyçe

Donika Kadaj -Bujupi tregon për herë të parë se si e fuste sprejin për sy në Kuvend

Donika Kadaj -Bujupi tregon për herë të parë se si e fuste sprejin për sy në Kuvend

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka treguar se si e ka fshehur sprejin për ta futur brenda objektit të Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.

Bujupi në Kanal 10 thotë se sprejin për sy e ka fshehur në flokë.

“Ishte një nga ditët kur furnizimet mbaruan. Policia identifikoi mënyrën dhe kanalet edhe s’na lejonin asnjë lëvizje me bo. Zakonisht na zinin në tentativë. Sa herë tentonim na zinin dhe na fusnin në burg. Herë në Lipjan e herë në Prishtinë. I thash Albulenës hajde bre pe provojmë me e shti në flokë. Sigurisht se nuk e pata të vështirë. E bëra njëfarë “pungj” dhe e vendosa sprejin në flokë. Mora rolin e seriozes, deputete. Rrugës duke u futur në Kuvend policia komunikonin me kode. Tha Sierra Leone, dhelpra në lokacion. Thashë e “hëngra”. Ja nisen policet duke më hallakat. Zonja Kada tha në flokë dhe ma gjeti sprejin dhe më dërgoi në Lipjan”, rrëfen deputetja një nga ngjarjet e vitit 2016.

Kadaj-Bujupi pastaj tregon momentin se si avokatja e saj tentoi ta arsyetojë në Gjykatë duke thënë se është sprej për flokë që deputetja e përdorte, mirëpo ky tentim shfajësimi i dështoi.

“Në sprej shkruante NATO. Gjykatësi tha si është e mundur të shënoj NATO në sprej për flokë”, tregin më tej Donika Kadaj-Bujupi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 mars 2017 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Donika Kadaj-Bujupi dhe Aida Dërguti akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Kadaj-Bujupi dhe Dërguti akuzohen nga prokuroria se më 1 shtator 2016, në Prishtinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në hyrje tek holli i Kuvendit, gjatë kontrollit nga pjesëtarët e policisë, të akuzuarës Kadaj-Bujupi i është gjetur dhe konfiskuar një sprej me mbishkrimin “Nato”, ndërsa të akuzuarës Dërguti i është gjetur dhe konfiskuar një gaz lotsjellës, të cilat mjete i kishin vendosur në trup, e të cilat i kanë mbajtur në posedim, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.