Fjalë Kyçe

Rrëfimet e dhimbshme të ushtarëve për rënien e Mujë Krasniqit dhe të tjerëve në luftë

Rrëfimet e dhimbshme të ushtarëve për rënien e Mujë Krasniqit dhe të tjerëve në luftë

22 vite më parë, malet e Pashtrikut do të gjëmonin nga luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Pas ushtrimeve të kryera në Vlanë dhe Cahan të Shqipërisë, ushtarët e UÇK-së ishin furnizuar mirë me armatim, të cilin planifikonin të fusnin në Kosovë për luftën çlirimtare ndaj pushtuesit serb.

Për lajminet, Betejën e Pashtrikut kanë rrëfyer tre protagonistët, Mehmet Fazliu, Gazmend Nebihu e Xhevdet Topalli. Në momentin që forcat e UÇK-së i ishin afruar kufirit me Kosovën, komandanti i njohur Mujë Krasniqi kishte mbajtur një fjalim para ushtarëve të UÇK-së.

Ai u kishte thënë atyre se kushdo që nuk e ndjen veten të gatshëm për sfidat që do të dalin rrugës, e ka shansën e fundit të kthehet. Pak kohë pasi që ushtarët e UÇK-së kishin marrë rrugën për tek vendi ku më pas do të shpërndaheshin në zonat e caktuara, ata bijnë në pritë nga forcat serbe

Paramilitarët serbë tashmë e kishin organizuar mirë pritën ndaj luftëtarëve të UÇK-së, duke ua pamundësuar atyre edhe kthimin prapa. Në ato momente, siç rrëfen njëri nga protagonistët, komandanti Mujë Krasniqi kishte bërë thirrje që asnjë ushtar i plagosur të mos lihet prapa, pavarësisht situatës.

Pas shumë kohë luftimesh, në përballje direkte me ushtarët serbë, bie dëshmor edhe Mujë Krasniqi. Komandant Kapuçi, ashtu siç e njihnin ushtarët e tij, nga dëshira për t’i ndihmuar shokët i plagosur i kishte hyrë kësaj rruge, deri sa ra dëshmor.

Rënia e Mujë Krasniqit nuk ua kishte ulur asnjëherë moralin ushtarëve të UÇK-së. Përkundrazi, kjo i nxiti ata që të vazhdonin luftën dhe të arrinin cakun e tyre. Kujtimet nga beteja e dhjetorit të 1998-tës edhe sot u ngjallin emocione atyre që e përjetuan atë.

Pas gjithë atyre përjetimeve të rënda dhe betejave të njëpasnjëshme, ish-ushtarët thonë se nuk janë të kënaqur me formën se si u trajtua ajo që ndodhi gjatë viteve të 90-ta.

Lufta i bëri shokë të jetës Mehmet Fazliun, Gazmend Nebihun e Xhevdet Topallin, teksa edhe sot në paqe ata temë kryesore të bisedës e kanë betejën e lavdishme ku iu vranë dhjetëra bashkëluftëtarë.

Beteja e Pashtrikut bashkë me ngjarjet e Prekazit dhe luftën e Koshares konsiderohen tri ndër ngjarjet më të lavdishme të luftës për liri të UÇK-së.