Gjykata Kushtetuese me vendimin e 21 dhjetorit rrëzoi qeverinë e cila udhëhiqet nga kryeministri, Avdullah Hoti.
Kjo gjykatë vendosi se vota e deputetit Etem Arifi nuk është e ligjshme, prandaj konstatoi se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i datës 3 qershor 2020, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, njofton Klan Kosova.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja po ashtu konstatoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes nga ana e presidentes në detyrë.
Mirëpo Kushtetuesja ende nuk e ka nxjerrë të plotë këtë aktgjykim dhe as nuk ua ka dorëzuar palëve, duke ia pamundësuar kështu Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, që të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Rreth dy javë më parë burime të Klan Kosova patën bërë të ditur se do të duhen disa ditë që i njëjti vendim të arrijë në Qeveri.
“Njoftimi thotë që vendimi hynë në fuqi nga momenti që të publikohet aktgjykimi dhe i njëjti t’u dërgohet palëve. Nuk mund të them se sa ditë duhen sepse varet derisa të shkruhet ajo që është vendosur. Sa më shpejt që të mundemi do të shkruhet”, ka thënë burimi.