Qeveria në detyrë ka vendosur të pezullojë procedurat e prokurimit për blerjen e vaksinave anti-COVID.
Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria ka përgatitur një propozim-vendim, ku thotë “se aprovohet kërkesa e MSH-së për përjashtimin e nenit 3 të Ligjit për prokurimin publik të Kosovës për negocimin e kontratës për vaksina anti-COVID”.
Propozim-vendimi pritet të marrë miratimin e Qeverisë sonte, në mbledhjen që po mbahet online.
Me këtë, i hapet rrugë Qeverisë të negociojë blerjen e vaksinave pa procedura prokurimi, por edhe dëshmon se deri më tash nuk është kontraktuar sasia e vaksinave të paralajmëruara nga Qeveria, meqë ende nuk është vendosur për përjashtim të procedurës së prokurimit.
“Tashmë, të gjitha përgatitjet për pranimin dhe administrimin e vaksinës janë bërë nga institucionet relevante duke u bazuar në planin shtetëror për imunizim kundër COVID-19. Prioriteti ynë është të fillohet të vaksinohen të gjitha grupet vulnerabile sa më shpejt që të jetë e mundur, duke zvogëluar shtrimet në spital dhe mbingarkesën e spitaleve, që po krijojnë një presion të madh mbi sistemin shëndetësor. Prandaj, është jetike që të sigurohen vaksina të sigurta dhe efektive sa më shpejt të jetë e mundur dhe në sasi të mjaftueshme që të fillojmë vaksinimin edhe në vendin tonë. Andaj, bazuar në këtë, Ministria e Shëndetësisë kërkon nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë përfshirjen në rendin e ditës për mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës aprovimin e propozim vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë duke përjashtuar nenit 3 të Ligjit nr. 04/l-042 për prokurimin publik në Republikën e Kosovës për negocimin e kontratës për vaksina COVID – 19”, thuhet në arsyetimin e MSH-së, bashkëngjitur kërkesës për pezullim të ligjit për prokurimin publik, mëson KOHA.
Qeveria Hoti më herët ka thënë se ka siguruar 535 mijë vaksina nga kompania Pfizer, 600 mijë përmes Austrisë dhe 720 mijë përmes programit COVAX.
Ka thënë se kontingjenti i parë do të vijë në shkurt, por nuk ka dhënë datë.