Fjalë Kyçe

Partitë mbeten me lista të njëjta, nuk dërgojnë emra të tjerë në KQZ

Partitë mbeten me lista të njëjta, nuk dërgojnë emra të tjerë në KQZ

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim të Partive dhe Certifikim ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, nuk kanë bërë rirenditje të kandidatëve në listat garuese për deputetë të Kosovës, pasi Gjykata Supreme nuk i certifikoi të plota këto lista. Ai ka thënë se në numrat në broshura, ku mungojnë emrat e kandidatëve, do të hijezohen për të mos lejuar gabime nga qytetarët.

Arianit Elshani, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se nëse në listat garuese lihen hapësira, aty ku kandidatët s’janë certifikuar, do të ketë probleme në numërimin e votave. Sipas tij, kjo do të sjellë probleme mes komisionerëve në vendvotime.

Alim Rama i Lëvizjes Vetëvendosje deklarimin e anëtarit të PDK-së e ka cilësuar si “tentim për të hutuar votuesit”. Ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i qëndron prapa listës së parë dhe s’e sheh të arsyeshme ndërrimin.

Edhe Sami Hamiti, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka rekomanduar për rirenditje, pasi sipas tij do të jetë problem numërimi i votave. Arsyetimin e tij për kërkesën për rirenditje Elshani e ka lidhur edhe me ligjin që kërkon që çdo i treti kandidat të jetë i gjinisë femërore. Sipas tij, si pasojë e moscertifikimit ka lista ku janë pesë burra rresht në listë dhe kjo ka thënë se paraqet shkelje.