Fjalë Kyçe

Smith: Thaçi e të tjerët akuzohen për 100 vrasje të kryera në 40 qendra ndalimi

Smith: Thaçi e të tjerët akuzohen për 100 vrasje të kryera në 40 qendra ndalimi

“Aktakuza ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve. Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ata janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Megjithatë, kur paraqiten akuza për Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët (NKP) si formë përgjegjësie penale, është standard ligjor që në aktakuzë të përmenden edhe disa aktorë kryesorë të tjerë të identifikueshëm. NKP-ja është formë përgjegjësie penale e pranuar gjerësisht, përdorur në çështje nga më të ndryshmet, dhe ky është një kriter standard për ngritje akuzash”, thotë për KOHËN kreu i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith

Aktakuzat e ngritura para Gjykatës Speciale nuk janë kundër UÇK-së, e as kundër Kosovës. Kështu insiston Prokurori i Speciales, Jack Smith.

Në një intervistë për KOHËN, dhënë me shkrim për shkak të rrethanave pandemike dhe ndjeshmërisë së çështjes, prokurori amerikan Smith është shprehur i bindur se aktakuzat e përpiluara nga Zyra e tij janë të qëndrueshme, ndërsa ka thënë edhe se Gjykata i ka siguruar kohë të mjaftueshme mbrojtjes së të akuzuarve që të përgatiten.

Por, ai nuk ka lënë dilemë se cili është synimi i zyrës së tij.

“Ne kërkojmë vendime fajësie për secilin të akuzuar, vendime të cilat do të përballojnë çdo proces apelimi dhe do të konfirmohen si të drejta”, ka thënë Smith, duke theksuar se për këtë arsye zyra e tij “ka një interes të fortë dhe të palëkundshëm që mbrojtja të ketë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u përgatitur”.

“Mbrojtja duhet të ketë mundësi të drejtë për t’u përgatitur për gjykim dhe unë besoj se – duke marrë parasysh se çfarë i është dhënë dhe çfarë do t’i jepet mbrojtjes, si dhe çfarë është tashmë e njohur për ta – për këtë gjë do të duhen muaj, dhe jo vite. Sikurse e kemi argumentuar në gjykatë, shtyrja e fillimit të këtij gjykimi përtej shtatorit 2021 për nevoja të përgatitjes për gjykim është thjesht e papërligjur”, tha Smith për KOHËN.

Në intervistë, prokurori Smith ka paralajmëruar se hetimet vazhdojnë dhe se ekziston mundësia që Gjykatës t’i parashtrohen edhe aktakuza të tjera, ndërkohë që ka folur edhe për rrjedhjen e dokumenteve të Speciales, si dhe çështjes së përkatësisë fetare të viktimave që përmenden në aktakuzë.

“Aktakuza në fakt nuk iu referohet shqiptarëve katolikë, e as ndonjë grupi tjetër fetar. Sidoqoftë, është fakt që disa shqiptarë katolikë së bashku me shumë të tjerë, ishin në mesin e viktimave të krimeve të paraqitura në aktakuzë, dhe rrjedhimisht kjo është diçka që është pasqyruar në provat e paraqitura dhe në vendimin e konfirmimit që analizon ato prova”, ka thënë Smith.

KOHA: Gjatë vitit të kaluar, zyra juaj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, i dorëzoi disa aktakuza në Dhomat e Specializuara, të cilat do të konfirmoheshin më pas. Marrë parasysh që puna e zyrës suaj është duke rrokur vëmendje të madhe në Kosovë, a mund të thuhet se deri në fund të 2021-s do të dorëzohen të gjitha aktakuzat nga hetimet e juaja? Këtu nuk po i përfshij shkeljet e mundshme të pengimit të drejtësisë që mund të ndodhin ndërkohë!

Smith: Në vitin 2020, zyra ime i dorëzoi Gjykatës për shqyrtim një numër aktakuzash, dhe aktualisht tri çështje gjyqësore me shtatë të akuzuar janë në fazën e procedurës paraprake.

E para është çështja e Salih Mustafës. Ai është personi i parë që u arrestua dhe u transferua në Hagë më 24 shtator 2020. Ai është një komandant i UÇK-së që akuzohet për përgjegjësi penale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si dhe për krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare. E dyta është çështja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilët u arrestuan dhe u transferuan në Hagë më 25 dhe 26 shtator. Ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ndër të tjera për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

E treta është çështja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ata akuzohen për përgjegjësi penale individuale, mbi bazën e formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si krime lufte; dhe për burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, si krime kundër njerëzimit – të kryera së paku nga marsi 1998 deri në shtator 1999. Në aktakuzë, të cilën lexuesit tuaj mund ta gjejnë në faqen tonë në Internet, z. Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë akuzohen për qindra veprime penale të kryera në mbi 40 qendra ndalimi anembanë Kosovës, që përfshijnë afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Viktimat janë kryesisht civilë dhe ndër ta ka shumë shqiptarë kosovarë, por edhe serbë, romë dhe kundërshtarë politikë të të akuzuarve.

Për të kuptuar plotësisht shkallën dhe natyrën e rëndë të krimeve që paraqiten në akuzat e ngritura në këtë çështje, ftoj lexuesit tuaj që të lexojnë vendimin prej 280 faqesh dhe mjaft të hollësishëm të Gjykatës për konfirmimin e aktakuzës. Vendimi i Gjykatës, i cili është tejet i detajuar dhe bazohet në provat që dorëzuam në mbështetje të aktakuzës, jo vetëm që konfirmoi çdo akuzë të paraqitur kundër secilit të akuzuar në bazë të disa formave të përgjegjësisë penale, por edhe i konfirmoi ato duke konstatuar dyshim të bazuar mirë se provat “do të bindnin një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur dhe që është kryer nga i pandehuri”. Gjykata i bazoi konstatimet e veta në “një material mbështetës konkret dhe real, i cili demonstron një linjë të qartë arsyetimi mbi të cilën bazohen akuzat në aktakuzë”.

Secila prej këtyre çështjeve, si dhe çdo çështje tjetër në të ardhmen, do të bazohen vetëm në përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve. Hetimet tona vazhdojnë dhe ekziston mundësia që Gjykatës t’i parashtrohen edhe aktakuza të tjera. Këtu mund të përfshihen çështje kundër atyre që përpiqen të pengojnë punën e Gjykatës apo të ndikojnë ndaj dëshmitarëve në mënyrë kriminale. Parashtrimet e tilla do t’i bëj vetëm kur provat që kemi mbledhur i përligjin qartësisht ato. Në këtë moment, nuk mund të jap më shumë informacion në lidhje me numrin e aktakuzave apo kur mund të parashtrohen ato.