Partia Socialdemokrate ka dalë kundër sloganit të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit, “Krejt dhe drejt”. Sipas kësaj partie, Kosova po shkon drejt një autokracie me tendencë totalitare.
Në ndërtesën e Qeverisë, aktivistë të kësaj partie kanë vendosur shkrimin “Krejt dhe drejt = i gjithë pushteti sovjetëve” duke tërhequr paralele mes sloganit të VV-së dhe një parulle bolshevike.
“‘Krejt pushteti sovjetëve’ ishte parullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t’u qendërzuar në fund në duart e një njeriu. I njëjtë është procesi këtu. Në emër të luftës ndaj regjimit të vjetër po na përvidhet një ‘shpëtimtar’. Ky shpëtimtar para pak kohësh ndërroi statutin partiak dhe mori kompetencat për vete; pastaj, mësynë presidencën dhe e shndërruan në zyre partie; në radhe ishte sulmi ndaj KQZ-së; pastaj erdhi slogani ‘krejt pushteti sovjetëve’ në versionin kosovar. Të gjitha për liderin suprem! Populli është një, vullneti i tij trupëzohet tek lideri suprem”, thuhet në një komunikatë të PSD-së.
Pas vendosjes së parullës, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës që është përleshur me aktivistë të PSD-së. Mësohet se kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe anëtarë të tjerë janë ndaluar nga Policia e Kosovës.
KosovaPress raporton se pas përleshjes, një polic është lënduar.