Fjalë Kyçe

Elezi tregon se kur do të arrijnë zarfet me vota nga mërgata

Elezi tregon se kur do të arrijnë zarfet me vota nga mërgata

Pakot me fletëvotime të nisura nga diaspora për në Kosovë nga dita e djeshme pritet të vijnë në çdo kohë në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Janë 67 vende anë e mbanë globit, prej nga kanë arritur aplikacione në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga persona të interesuar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen në Republikën e Kosovës më 14 shkurt 2021.

Gjithsej 102,100 qytetarë që janë regjistruar dhe verifikuar në KQZ për të votuar nga jashtë për dallim nga zgjedhjet e vitit 2019 ku ishin 35,087 të regjistruar, por që në Kosovë brenda afatit arritën 20,200 vota.

Sa i përket arritjes së votave nga diaspora, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në çdo kohë këto pako me vota mund të arrijnë në KQZ.

“Në çdo kohë mund të vijnë pakot e supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës, sepse jemi në periudhën e votimit përmes postës. Kjo periudhë përmbyllet më 12 shkurt. Pra, deri në këtë datë fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi për Telegrafin.

Ndryshe, pesë vendet e para, prej nga kanë arritur më shumë aplikime janë: Gjermania, Zvicra, Austria, Franca e Suedia.

Sipas të dhënave që Telegrafi ka siguruar nga KQZ-ja, në listën e aplikacioneve të aprovuara, prinë Gjermania me 43 mijë e 49 aplikacione, pastaj Zvicra, 26 mijë e 686, Austria me 4 mijë e 758, Franca me 4 mijë e 164 dhe Suedia 4 mijë e 69.

Përveç këtyre vendeve, janë pastaj edhe me mijëra aplikacione të aprovuara që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, SHBA-të, Belgjika, Kroacia, Sllovenia e shumë të tjera vende të largëta si: Japoni, Meksikë, Lituani, Panama, Somali, Kosta Rikë etj.