Dyshime mbi procesin e lëshimit të lejeve ujore nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit për hidrocentralin “Lumbardhi 2” janë ngritur pak ditë pas lëshimit të saj.
Burime të Kohës brenda Ministrisë thonë se zyrtarët e Ministrisë që lëshuan këtë leje dyshohet se nuk kanë vizituar fare vendin e ngjarjes. Sipas këtij burimi, shkaku i kushteve të vështira atmosferike, ata kanë vizituar vetëm objektin e hidrocentralit ku ndodhën turbinat, por jo edhe vendin e marrjes së veprës së ujit, rreth 2 kilometra më lart.
KOHA merr vesh se udhëheqësi i lëndës ka dhënë dorëheqje nga lënda. Kjo, pasi ka kërkuar që të bëhet ekspertizë, shkaku i kompleksitetit të lëndës dhe devijimit të projektit nga hapat fillestarë. Leja ujore mban nënshkrimin e drejtorit të Autoritetit për Pellgje Lumore, të cilin KOHA ka provuar që ta kontaktojë, por që nuk është përgjigjur.
As MEA-ja nuk ka kthyer përgjigje, e pyetur nëse është vizituar vendi i marrjes së veprës së ujit apo jo. Në anën tjetër, me kërkesë të Kompanisë “KELKOS”, MEA-ja ka publikuar dokumentet lidhur me projektin që ka të bëjë me ridizajnimin e stazës hidrogjenetike të HC “Lumbardhi 2”, si dhe me kushtet mjedisore dhe rehabilitimin në Zallin e Rupës.
Kompania ka kërkuar të publikohet edhe raporti për të cilin ka shprehur dyshimet organizata “Pishtarët”, duke thënë se dokumenti është i bazuar në fakte, që të kundërshtohen deklaratat siç i ka quajtur, shpifëse që janë përsëritur në media në kontestin e raporteve për këtë leje. Ndërkohë, Organizata “Pishtarët” ka përsëritur edhe njëherë se nuk janë përmbushur detyrimet ligjore që ka kompania.
Në një reagim ka thënë se “bazeni akumulues ende nuk është ndërtuar, miliona tonelata zall janë vjedhur”. “Me këto veprime të ulëta të tyre, lufta jonë kundër krimeve mbi Grykën e Deçanit ka evoluar, sepse tash po zgjerohet të përfshijë edhe krimet dhe dhunimet mbi institucionet publike dhe shuarjen e mundësive që të jetojmë me dinjitet”, thuhet në reagimin e “Pishtarëve”.
Ndërkohë, ZRRE-ja në nëntor të vitit të kaluar ka licencuar dy hidrocentrale të tjera të KELKOS-it, pasi ato janë pajisur me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Puna e tyre është pezulluar përkohësisht, shkaku i procedurave gjyqësore që po zhvillohen pas padive nga shoqëria civile kundër këtyre licencave.