Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimin lidhur me moszbatimin e masave anti-Covid gjatë tubimeve elektorale nga partitë politike në vend.
Sipas tij, as nga institucionet të cilat kanë për obligim t’i zbatojnë masat nuk ka pasur reagim.
Sipas njoftimit, ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të tolerohet dhe cenon barazinë e qytetarëve para ligjit. Ai gjithashtu thotë se votuesit jashtë vendit kanë kërkuar që të shtyhet afati për pranimin e votave nga diaspora.
“Përveç kësaj, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij për rrezikimin e jetëve të qytetarëve për mos respektim të masave. Avokati i Popullit edhe njëherë rithekson obligimin që kanë të gjitha institucionet dhe partitë politike që të respektojnë masat për parandalimin e pandemisë ndërsa fton autoritetet kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete për respektimin e këtyre masave nga subjektet politike”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit gjithashtu njofton se ka pranuar ankesa nga qytetarët që ndërlidhen me procesin zgjedhor e që kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga web-faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mos përfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi përmes emailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Po ashtu, kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së ti shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar. Për krejt këto shqetësime e me qëllim të përmbushjes së mandatit kushtetues, Avokati i Popullit është mobilizuar që të monitorojë procesin zgjedhor dhe me këtë rast njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se zyra kryesore dhe ato rajonale do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve ku do të pranohen ankesat në rast të parregullsive që cenojnë të drejtën e votës së lirë”, thuhet në njoftim.