Tri ditë më parë u raportua për një vozitje të çmendur nga një i ri në rrugën B të kryeqytetit.
Në videon që kishte publikuar vet i riu në rrjetet sociale, shpejtësia me të cilën voziste Dorant Bucolli ishte 200 kilometra në orë, e që kufizimi i shpejtësisë në rrugën B është 40 km/h.
Kjo video ngjalli shumë reagime në rrjetet sociale, duke kërkuar nga policia ndalimin e tij të menjëhershëm, pasi që vetëm pak muaj më parë në atë zonë u shtypën për vdekje dy vajza, shkruan Ballkani.info.
Por duket se kjo shpejtësi i shkaktoj telashe të njëjtit. “Schumacheri” i Prishtinës pësoi aksident parmbrëmë po ashtu në Rrugën B në Prishtinë.
Mirëpo, Dorant Bucolli është emër i njohur për organet e drejtësisë dhe policinë edhe më parë. Ai njihet si recidivist, përsëritës i veprës. Policia thotë se atij i është marrë edhe patentë shoferi më parë, pasi që është kapur duke vozituar rrezikshëm.
Më tutje ky medium raporton se më 11 nëntor të vitit 2018, në veturën që e vozistë Dorant Bucolli, policia kishte gjetur lëndë narkotike.
Sipas aktakuzës që është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 dhjetor 2018, pretendohet se i akuzuari Bilal Kqiku, pa autorizim ka shpërndarë, shitur, dorëzuar, ndërmjetësuar, dërguar ose transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje.
Sipas aktakuzës, pretendohet se më 11 nëntor 2018, në rrugën “ Nëna Terezë”, në Fushë Kosovë, afër pompës së derivateve “Kastrati”, gjatë kontrollimit nga ana e policisë, në veturën e tipit “Citrone C4”, të cilën e drejtonte dëshmitari Dorant Bucolli, policia ka gjetur dhe sekuestruar 45 gramë marihuanë, të cilat kishin qenë në një çantë krahu me ngjyrë të zezë.
Tutje, sipas aktakuzës, po në atë veturë kishte qenë edhe i akuzuari Bilal Kqiku dhe dëshmitari Ali Kastrati. Sipas aktakuzës, në atë veturë janë gjetur edhe 4.4 gramë marihuanë, ndërsa jashtë veturës në tokë, në pjesën e shoferit, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 61 gramë marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 110.4 gram. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 të KPRK-së.