Fjalë Kyçe

Nesër zgjedhjet e jashtëzakonshme – Këto janë ngjarjet e planifikuara

Nesër zgjedhjet e jashtëzakonshme – Këto janë ngjarjet e planifikuara

Nesër në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakoshme parlamentare.

Kësisoj, votimi do të nis në orën 07:00 të mëngjesit, kur edhe do të hapen të gjitha vendvotimet në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Në këtë orë do të votojë edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e cila menjëherë pastaj do të flasë para mediave.

E konferenca e parë e KQZ-së do të mbahet në orën 08:00 ku do të flitet se a janë hapur të gjitha vendvotimet në kohë si dhe a ka pasur pengesa në këtë aspekt.

Në orën 09:00 do të votojë kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj. Ky i fundit do të votojë në Fakultetin e Filologjisë.

Në orën 09:30 bashkë me gruan e tij, në Fakultetin Filologjik në Prishtinë do të votojë kryeministri aktual dhe kandidati i LDK-së, Avdullah Hoti.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në ora 09:30 do të shkojë në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë për të hedhur votën e tij.

Në orën 10:00 do të votojë u.d e presidentit, Vjosa Osmani në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Në orën 10:30 votën e tij në kuti do ta hedh edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili voton në shkollën “Emin Duraku.

Në orën 11:00, në SHF “Abaz Ajeti” në Gjilan, voton nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri me bashkëshorten Mirvete Bajrami Hajrizi.

Në orën 11:30 do të mbahet konferenca e dytë e KQZ-së ku do të tregohet përqindja e daljes në zgjedhje deri në orën 11:00.

Në orën 15:30 do të jetë konferenca e tretë e KQZ-së, ku do të jipen detaje për numrin e votuesve deri në orën 15:00.

Teksa në orën 19:30 do të jetë konferenca e katërt e KQZ-së, ku do të tregohet për numrin përfundimtar të daljes në zgjedhje.

Ndërkaq ende s’dihet se kur do të mbahet konferenca e pestë kur edhe do të shpallen rezultatet preliminare të zgjedhjeve nga KQZ.

Ndryshe, zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë u ka paraprirë një vendim i Kushtetueses që votimin e qeverisë Hoti e ka konsideruar si të paligjshëm.

Kjo pasi që njëri nga deputetët votues ishte i dënuar nga gjykata me një vendim të formës së prerë, andaj i njëjti nuk kishte mandat.