Fjalë Kyçe

KQZ e konfirmon mungesën e fletëvotimeve në disa qendra në Prishtinë

KQZ e konfirmon mungesën e fletëvotimeve në disa qendra në Prishtinë

Një zyrtar i lartë në KQZ ka konfirmuar mungesën e fletëvotimeve në disa qendra votimi në Prishtinë. Sipas tij, mungesa të tilla janë evidentuar vendvotime ku është votuar me kusht.

Burimi i KOHËS ka thënë se numri i votave me kusht është i paparashikueshëm. Ai shtoi se fletëvotimet janë duke u dërguar në qendrat ku mungojnë.

KOHA ka kontaktuar edhe zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi, mirëpo ai nuk ka dhënë një përgjigje për këtë çështje.

Në disa qendra të votimit në Prishtinë janë krijuar grumbuj njerëzish të interesuar për të votuar. Në disa prej tyre po mungojnë edhe fletëvotimet.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë po vazhdon të ketë numër të madh të njerëzve të cilët duan të votojnë. Në korridoret e shkollës shihet fluks i madh i njerëzve, në më pak se një orë prej sa ka mbetur të mbyllen zyrtarisht votimet.

Shumë qytetarë janë duke pritur edhe në shkollën “Dardania” për shkak të mungesës së fletëvotimeve. Disa prej tyre, në shenjë revolte janë duke u kthyer edhe pa votuar.

Për tri orë ka pasur mungesë të zarfeve në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik në kryeqytet duke bërë që të ketë tollovi të qytetarëve që donin të votonin me kusht.

Zyrtari i KKZ-së nga kjo qendër votimi ka thënë për KOHËN se moti i ligë shkaktoi vonesa në këtë proces.