Autoritetet zyrtare në Maqedoninë e Veriut thonë se regjistrimi i Bashkësisë Islame Selefie, do të sjellë përçarje të thella mes komunitetit mysliman për shkak të tendencës për paralelizëm kundrejt Bashkësisë Fetare Islame.
Regjistrimi i kësaj bashkësie konsiderohet se paraqet problem për sigurinë e vendit. Me vendim të Gjykatës Civile, më 22 dhjetor të vitit 2020 është regjistruar Bashkësia Islame Selefie “Dar El Hadis” në Regjistrin e vetëm gjyqësor për kisha, bashkësi fetare dhe grupe religjioze nga ana e gjykatëses Suzana Donçevska.
Në dokumentacionin juridik, si themelues i bashkësisë qëndron Shejh Xhemal Jakupi me seli në Shkup.
Jakupi thotë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i kësaj bashkësie ka për qëllim, “predikimin në bazë të konceptit selefi që paraqet kuptimin e pastër të fesë islame bazuar në Kuranin dhe traditat e profetit Muhamed”.
Ai mohon t’u takojë rrymave radikale duke shtuar se puna e institucionit që përfaqëson, me vetë regjistrimin zyrtar, ka për qëllim transparencën dhe se nuk pranon t’i quajnë selefistë.
“Emri ynë zyrtarisht është regjistruar si Bashkësia Islame Selefie ‘Dar el Hais’ dhe nuk pranojmë të na quajnë bashkësi selefiste apo selefista. Është e natyrshme që të ketë akuza kur dikush bën një veprimtari qëllimmirë dhe të drejtë. Patjetër se do të ketë manipulime, por pikërisht kjo formë e organizimit është për t’u sqaruar këto manipulime dhe akuza. Do të thotë që të jemi të dukshëm dhe transparent dhe të mos lihet vend për thurje të konspiracioneve ose mjegullinave rreth nesh, por të dalim me fytyrë të hapur dhe të jemi transparent – ky është qëllimi ynë themelor dhe kryesor”, thotë Jakupi, themelues i Bashkësisë Islame Selefie.
Por, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të premten ka theksuar se themelimi i bashkësisë së re fetare islame paraqet problem për sigurinë e vendit.
“Jam i informuar nga ministri i Drejtësisë, se një gjykatë e caktuar e jona ka bërë regjistrimin e bashkësisë së tillë, e cila nga aspekti i sigurisë së shtetit, paraqet problem. Besoj që vetë organet kompetente do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të tilla”, ka deklaruar Zaev, pa sqaruar se pse paraqet problem për sigurinë e vendit.
Edhe myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, thotë për Radion e Evropa e Lirë se themelimi i kësaj bashkësie nxit përçarje mes besimtarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se në njëfarë forme regjistrimi i tyre legalizon aktivitetet radikale të tyre.
“Po kjo (regjistrimi kësaj Bashkësi Islame) do të legalizonte të gjitha ato bindjet që ndoshta janë më radikale, janë më ekstreme, tashmë e legalizojnë punën e tyre dhe asgjë më nuk do të bëjnë në mënyrë ilegale, pra do ta bëjnë në mënyrë legale. Dhe, kjo do të sjellë deri te kacafytja apo zënkat mes myslimanëve këtu, marrë parasysh se tani gjithkush do të thirret në legalitetin e punës së vet”, thotë Ismaili.
Myftiu Ismaili thotë se termi “selefi” në botë njihet si ideologji ekstreme dhe radikale.