Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se sot rreth orës 13:50, ka ndaluar të pandehurin B.R., zyrtar policor në Stacionin Policor në Gjilan, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ dhe ‘’Mashtrim’’.
Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan, është realizuar bastisja në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Përlepnicë komuna e Gjilanit, ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon Samsung, një kartelë Vala, një kartelë Ipko, një tabletë i markës Lenovo, një kompjuter i markës HP si dhe një USB.
I pandehuri B.R., pas intervistimit nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës, me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve.