Si një ndër vendet pa asnjë dozë të vaksinës Anti-COVID, Kosova është drejtuar për ndihmë nga lideri i vaksinimit, Izraeli. Tashmë Qeveria në detyrë e Kosovës disa herë ka hapur temën e furnizimit me vaksina gjatë takimeve virtuale me liderë të këtij shteti, mirëpo ende nuk ka ndonjë sinjal se Izraeli do të ndajë një pjesë të vaksinave për Kosovën, raporton Gazeta Express.
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, vendi po shpreson që ky shtet i cili është lider për vaksinimin e popullsisë, t’i ndihmojë në sigurimin e vaksinave Anti-COVID.
Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë e Ministria e Punëve të Jashtme, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kanë ngritur situatën me pandeminë dhe angazhimin në sigurimin e vaksinave Anti-COVID.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku, ka thënë për Express se kryeministri Hoti e ka ngritur çështjen e furnizimit me vaksina në takimin e fundit që ka pasur me kryeministrin e Izraelit.
Për këtë çështje, ajo ka përmendur edhe takimin virtual të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj me homologun e tij, por që nuk ka dhënë informacione se a i është premtuar Qeverisë furnizim me vaksina nga ky shtet.
“Për vaksinat negocion ministri Zemaj. Kryeministri Hoti para disa javës ka komunikuar me kryeministrin e Izraelit për këtë temë, ministri Zemaj ka komunikuar me homologun e tij”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa, as nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë treguar për gazetën nëse u është premtuar furnizim me vaksina nga Izraeli, mirëpo ministri Zemaj ka thënë se gjatë gjithë kësaj kohe ka mbajtur takime me homolog të tij, duke përmendur edhe takimin e djeshëm me ministrin e Shëndetësisë së Izraelit.
Ai ka thënë se janë duke bërë përpjekje që vaksina të vijë sa më parë në Kosovë.
Ndërsa, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, më 14 mars të këtij viti, kishte deklaruar se shumë shpejt shteti i Izraelit do t’i kthejë përgjigje Kosovës për vaksinat që i kanë kërkuar nga ministri Ashkenazi në takimin bilateral që i ka paraprirë nënshkrimit formal të marrëdhënieve diplomatike me 1 shkurt 2021.
Megjithatë, një përgjigje pozitive ende nuk është pranuar nga ky shtet. Ndonëse është raportuar se Izraeli gjatë muajve në vijim do të furnizohet me vaksina, të cilat do të duhet t’i hedhë ose t’i dërgojë në shtetet tjera, ky vend ende nuk ka vendosur nëse një pjesë të tyre do ta dërgojë në Kosovë.
Njohës të Shëndetësisë në vend e kanë shprehur të domosdoshëm furnizimin me vaksina gjatë kohës kur po rritet numri i të infektuarve me COVID-19, derisa e kanë parë të pamjaftueshëm furnizimin me 33 mijë dozave të vaksinës anti-COVID nga COVAX, që janë premtuar të vinë këtë muaj.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbës Ismajli ka thënë për Express se është folur disa herë për furnizimin e vendit me vaksina, por që furnizimi me 33 mijë doza të cilat pritet të vinë këtë muaj nga COVAX, është i pamjaftueshëm.
“Gjendja me COVID-19 është shqetësuese në Gjilan. Tashmë është folur disa herë për furnizimin me vaksina. Ne kemi bërë përgatitjet për vaksinim, mirëpo ky numër i dozave që po flitet që do të vijnë, është numër i vogël”, ka thënë ai.
Kujtojmë që Kosova është një ndër vendet e vetme që ende nuk është furnizuar me asnjë dozë të vaksinës Anti-COVID, derisa nuk dihen data të sakta se kur vendi do të furnizohet me vaksinat e premtuara.
Andaj, ndihma për furnizim me vaksina është drejtuar edhe nga Izraeli i cili është lider për vaksinimin e popullsisë.