Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, deklaroi se protesta e sotme ishte alarm i fundit për Qeverinë që të shkojë në realizim të marrëveshjes.
Në një konferencë për media të mbajtur pas përfundimit të protestës së mbajtur me autobusë në Prishtinë, Kurtishaj u shpreh se sektori që ai përfaqëson ishte dëmtuar më së shumti nga pandemia, dhe se pavarësisht kësaj i kanë dhënë hapësirë dialogut me udhëheqësit e shtetit dhe kanë pritur për realizim të marrëveshjes së nënshkruar.
“Si duket, Qeveria e ka pasur vetëm një lloj premtimi të rrejshëm dhe nënshkrimi marrëveshjes për subvencionim ka qenë i rrejshëm”.
”Kjo protestë ka ardhur si rezultat i mospërmbushjes së asaj marrëveshjeje. Janë mbi 1000 autobusë që janë dëmtuar nga masat antiCOVID të Qeverisë, mijëra punëtorë e mbi 400 biznese që kanë pësuar humbje”.
Ai po ashtu njoftoi se kanë marr vendim që greva të vazhdojë edhe nesër e pasnesër, ndërsa të hënën nga ora 10 do ta kenë një marsh tjetër para objektit të Qeverisë së Kosovës me 200-300 autobusë dhe se për dy orë do të bllokohet kryeqyteti.