Fjalë Kyçe

Vendimi i Kushtetueses, Tinka Kurti: Fitore e individit kundër sistemit diskriminues

Vendimi i Kushtetueses, Tinka Kurti: Fitore e individit kundër sistemit diskriminues

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti , e ka quajtur fitore të individit kundër sistemit diskriminues, rastin e saj kur Gjykata Kushtetuese i ka dhënë asaj të drejtë dhe Drita Millakut lidhur me kërkesën e tyre për t’u bërë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës si deputete që duhet të zëvendësonin deputetët që ishin bërë ministra në vitin e kaluar.

“Pas një viti prej kërkesës, Gjykata Kushtetuese paska vendosur në favor timin për mandatin e deputetes për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Mandati më është mohuar në baza gjinie. Njëjtë edhe Drita Millakut. Sipas vendimit, Kushtetuta është shkelur në 4 nene dhe konventat ndërkombëtare gjithashtu”.

“Kjo luftë nuk ka qenë e lehtë dhe as nuk përfundon këtu. Një mandat nuk është asgjë në krahasim me parimin që duhet të vendosim. Koha nuk ecën prapa, mandati i mohuar institucionalisht nuk kthehet por ne duhet të përparojmë me kohën. Neni 28 tek Ligji për Zgjedhjet për Zëvendësimin e deputetëve nuk është i vetmi diskriminues. Duhet të punojmë në shumë drejtime”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.